Të gjesh veten në një vend dhe në një shoqëri ku është e përhumbur, ku të gjitha gjërat i bën më një automatizëm e që janë të koduara nga traditat dhe zakonet e mëhershme, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
Filmi “Në kërkim të Venerës” i regjisores Norika Sefa, që do të jetë kandidati i Kosovës për Oscar 2023, është pasqyrimi dhe reflektimi më i mirë i shoqërisë kosovare, e cila e përhumbur vazhdon tutje.
Personazhi kryesor i filmit, “Venera”, e cila është një vajzë e re, e lindur dhe e rritur diku në një fshat të thellë, me prindër të pashkolluar, religjiozë ndaj traditave dhe ende në gjumin dogmatik. Venera zgjohet nga ai gjumë, por nëse zgjohesh në një tufë ujqërish, lutesh të kishe qëndruar në gjumë përgjithmonë.
Ajo çka dëshiron Venera është të jetojë jetën sikur shoqja e saj, e cila ka thyer tabut, të cilat e rrethojnë vendin ku zhvillohet filmi, por ajo është një “e përdalë” për njerëzit aty, ajo është shembulli që s’duhet bërë një vajzë.
Pse filmi është një pasqyrim i duhur i shoqërisë tonë, kosovare?
Venera mund të dalë në “party”, por vetëm nën pranin e një djali, që babi i saj e sheh si vëlla për të (e i cili, në fund të filmit përqafon instinktin e tij seksual me Venerën).
Babai i Venerës është një njeri pa punë, i cili sorollatet në shtëpi duke tentuar të rregullojë diçka në shtëpinë e vjetër, por që është një shef ose pronar për familjen e tij.
Duke tentuar të jesh vetja dhe duke thyer ato “tabu” që kanë izoluar mendjen e secilit, duhet të jetosh dy jetë, dy jetë paralele në një shoqëri të tillë, në rastin më të rëndë.
Këtu mund të thirremi te filmi “The Double Life of Veronique” i regjisorit Krzysztof Kieslowski, ku në të njëjtën kohë, ekzistojnë dy Veronika, por në hapësira të ndryshme, njëra në Francë e njëra në Poloni, por që nuk kanë njohuri për ekzistencën e njëra-tjetrës, por që disi në mënyrë të pavetëdijshme janë të lidhura me njëra tjetrën.
Pra, kjo është mundësia e mbijetesës së “Venerës” në film, dhe jo vetëm në film, por edhe në realitetin e shoqërisë kosovare – por ajo duhet të jetë e vetëdijshme. Kjo mund të jetë një regjim i ekzagjeruar i të parit një film, siç është filmi “Në kërkim të Venerës”, por që është një domosdo e mbijetesës së saj dhe të gjithëve, sikur ajo në rrethana të ngjashme.
Në një intervistë për Dukagjinin, producenti i filmit “Në kërkim të Venerës”, Besnik Krapi, ka treguar se si filmi trajton pjesën e traditës, dhe se si paraqet jetën e një vajze të re që është rritur në një familje tradicionale shqiptare.
“Në momentin kur Venera e sheh Dorinën shoqen e saj ndryshe, e cila ka të dashur, atëherë fillon ta shohë vetën si vajzë – në kuptimin se çka i mungon asaj që do të vijë në jetë, duke e zbuluar vetën seksualisht e shumë çka tjetër”, është shprehur ai.
Pra, sipas producentit, filmi përmban një histori shumë realiste që mund të ndikojë ndryshe në jetën e secilës vajzë, nuk paragjykon moral apo ndonjë gjë tjetër, por tregon thjesht se si një vajzë rritet, apo si janë rritur në në një kohë të caktuar.
Po ashtu, Krapi ka rrëfyer edhe vështirësitë që kanë pasur gjatë realizmit të filmit, pasi sipas tij, sidomos filmi autor, ka vështirësi gjithandej në kompletimin e buxheteve.
Por, ai nuk e ka mohuar që vështirësi ka pothuajse çdo projekt në Kosovë e rajon, “nuk mundem të them që vetëm në Kosovë sepse do ishte e padrejtë, nuk është që ne jemi më së miri, por ka edhe më keq, ndërkohë shpresojmë në rritjen e buxhetit”.
Krapi ka cekur një vështirësi që ka pasur ndikim në të gjithë botën, e kjo është pandemia e Covid-19, e cila sipas tij, ka qenë një sfidë ndryshe, por e arritshme.
“Një vështirësi e veçantë tjetër përveç fondeve, është se filmin ‘Në kërkim të Venerës’, duke e realizuar, na zuri pandemia. Ne kishim përfunduar xhirimet, por pastaj e kishim produksionin dhe komplet postproduksionin, të cilat i kemi bërë në pandemi, domethënë regjisorja e filmit, Norika ishte në Pragë, koloristi e montazheri në Gjermani, sound-inxhinieri në Shkup, unë isha në Kosovë, ku nuk kam mundur të dalë as të blejë bukë, ishte me orare. E krejt këto i kemi arritur, pra ka qenë një sfidë ndryshe”, është shprehur ai.
Ai ka kujtuar edhe çmimin Special të Jurisë (Special Jury Award), të cilin e kanë fituar para dy vjetësh në Festivalin e Roterdamit të Holandës, ku nuk kanë mundur të jenë pjesë e ceremonisë për shkak të pandemisë.
“Pastaj kishim edhe premierën në festivalin e filmit në Roterdam të Holandës (International Film Festival Rotterdam), ku ishte fat i mirë për ‘Në kërkim të Venerës’, por fat i keq për ne që nuk kishim mundësi të shkonim”, ka thënë Krapi.
Ndryshe nga këto, ai ka cekur se Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), janë kujdesur që të paktën kur shteti konkurron me një film për në rrugën në Oscar, të ndajnë buxhetin për “Marrëdhëniet me Publikun” (PR).
“E di që përkrahja ekziston, kemi rrethana më të mira sesa që kemi pasur dhe jemi më mirë”, ka thënë tutje ai.
“NJË BUXHET PËR FILMA NUK DO TË JETË KURRË I MJAFTUESHËM NË KOSOVË”
Sukseset që ka Kosova deri më tani në kinematografi, dëshmojnë se vullneti për të bërë filma në Kosovë ekziston, sipas Krapit, por buxheti për filma nuk është asnjëherë i mjaftueshëm.
“Nuk po them tani që ne jemi më të mirët, pasi në Kosovë një buxhet për filma nuk do të jetë kurrë i mjaftueshëm, por më e rëndësishmja është që vullneti ekziston, kemi pasur deri tash shumë suksese dhe mendoj që Kosova tash i ka të gjitha emblemat e festivaleve. Kështu që tash ka ngelur vetëm pjesa që buxheti të rritet”, ka thënë Krapi.
Krapi, gjithashtu, ka thënë se buxheti për filmin “Në kërkim të Venerës”, ka qenë rreth 500 mijë euro, dhe më pas janë dhuruar 200 mijë euro nga shteti, dhe se me investime të tyre kanë gjetur producent të jashtëm, në Maqedoni.
“Përkrahja nga institucionet e shtetit për kandidimin e filmit në rrugën për nominim në Oscar është ndjenjë e mirë kur të vlerësojnë, dhe e mira është që e kthen filmin prapë në jetë, pra jemi jashtëzakonisht të lumtur”, është shprehur tutje ai.
Shpresat për t’u nominuar në Oscar ekzistojnë, por producenti i filmit thotë se në këtë rrugëtim, shpreson se filmi ta ketë fatin e kandidatëve të tjerë të Kosovës, si filmi “Shok” dhe “Zgjoi”.
“Filmi është kandiduar për t’u nominuar në Oscar, dhe varet pasi aty zgjedhen katër filma, gjasat janë të vogla tani, nuk mund të flas për çmimin pa u nominuar, por suksesi në këtë rrugëtim i mbetet filmit “Shok”, sepse filmi “Zgjoi” ka kaluar fazën e parë të kandidimit ka shkuar në 25-shen e filmave më të mirë, por shpresojmë ta kemi atë fat edhe ne”, ka thënë ai, duke shtuar se janë duke u angazhuar që PR-në ta shfrytëzojnë njësoj si filmi “Shok”, pasi Krapi edhe në këtë film mori pjesë si Line Producer.
Por, nëse filmi nuk arrin që të nominohet në Oscar, Krapi ka thënë se mjafton që filmi kthehet në jetë, duke shpresuar që të jetë sa më afër njerëzve.
Ndërkaq, ai ka treguar se “Në kërkim të Venerës” është shfaqur në shumë vende jashtë Kosovës. Filmi, gjithashtu, është shfaqur edhe në “world wide”, nëpërmjet platformës “Mubi”, e cila është një ndër platformat më të rëndësishme të filmit autor, dhe aty është shikuar online, “tashmë sa të kthehet në jetë në Oscar, do të mendojmë ta sigurojmë edhe në kinema të shumë vendeve jashtë rajonit”.
“ROLI I “VENERËS” MË KA NDIHMUAR TA GJEJË VETËN E TË REFLEKTOJË”
Aktorja Kosovare Krasniqi, e cila luan personazhin kryesor të filmit, pra Venerën, në një intervistë për Dukagjinin, ka treguar eksperiencën për rolin e parë në paraqitjen e saj si aktore.
“Roli i Venerës është roli im i parë, gjithçka ka filluar kur Norika, regjisorja e filmit, në një takim të rastësishëm, më ka ftuar në audicion. Audicioni ka zgjatur një kohë të caktuar deri janë bërë përzgjedhjet e aktorëve, një ndër këta aktorë të zgjedhur kam qenë edhe unë”, ka treguar ajo.
Për shkak që regjisorja e filmit, Norika Sefa, ka qenë në dijeni që kjo ishte eksperienca e parë e Krasniqit në një film, ajo nuk e ka lexuar skenarin vetëm, por fillimisht e kanë lexuar bashkë me regjisoren dhe aktorët e tjerë në skena të ndryshme.
Kjo mënyrë nga ana e regjisores, sipas Krasniqit, ishte për të kuptuar më lehtë edhe më thjesht “Venerën” si karakter.
Krasniqi ka thënë se shoqëria patriarkale, e cila paraqitet në film, vazhdon të ekzistojë edhe sot, “ndoshta nuk është në masa madhore, siç ka qenë para disa viteve, por ende frymon patriarkalizmi në vendin tonë”.
Publiku i cili e ka parë ose do ta shohë, Krasniqi mendon se mund të vetëdijesohet për aspekte te ndryshme, duke filluar nga karakteri i fortë i Venerës, e cila me çdo kusht dëshiron ta njohë botën për ta zbuluar veten, gjë që sipas saj, duhet ta bëjë secila vajzë adoleshente në moshën e “Venerës”.
“Shoqëria me anë të filmit mund të kuptojë shumë për raportet e ndryshme në shoqëri, duke filluar nga prind-fëmijë, në këtë mënyrë besoj që do të vetëdijësohen edhe prindërit”, ka thënë ajo.
Për të, roli i “Venerës” ka qenë karakter i cili sado i vështirë që ka qenë në atë kohë, pasi kanë përfunduar xhirimet, atë e ka ndihmuar ta gjejë edhe vetën e saj e të reflektojë.
“Nuk mund të them se vajzat shqiptare duhet të jenë si ‘Venera’ apo shoqja e saj, ‘Dorina’, janë personazhe të kundërta, por mund të them që vajzave shqiptare, secila prej karaktereve, mund t’i ndihmojë të shohin përtej asaj që u servohet në shoqëri”.
Në kërkim të vetes në këtë shoqëri të përhumbur
Fundi i filmit, skena e fundit e vëllait të Venerës, i cili pi qumësht pa u ndalur, do të na kujtojë regjisorin suedez, Ingmar Bergman, më përmbylljen e filmave të tij papritur dhe në zhvillim e tutje, që do të jetë shokuese për ne, por edhe një mundësi që disi ta përfundojmë vetë në filmin.
Djali që pi qumështin pa u ndalur dhe jeta e “Venerës” në atë vend, tregon për atë që ka vazhduar, po vazhdon dhe do të vazhdojë.
Ajo çka do të vazhdojë, ne do të pajtohemi deri sa të zbrazet gota me qumësht që do të jetë jeta e dyfishtë e Venerës – por ajo do të jetë në kërkim të vetës në shoqërinë e përhumbur – dhe jeta në përhumbje, e njerëzve me të cilët jetojmë, e më të cilët në hasemi çdo ditë.