Në Kuvend po diskutohet projektligji për pagë minimale

Të premten e 13 majit, në seancën e Kuvendit të Kosovës, po diskutohet për ligjin e pagës minimale, e që pritet të votohet gjatë ditës

Kuvendi i Kosovës

Në seancën e 13 majit në Kuvendin e Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka folur për projektligjin për Pagën Minimale në Kosovë, i cili pritet të votohet sot(e premte) në Kuvendin e Kosovës.

Murati ka thënë se pas 11 vjetësh, po hapet rrugë për rritjen e pagës minimale në Kosovë.

Ai ka treguar edhe për qëllimet kryesore të këtij projektligji.

“Po hapet rrugë, që pas 11 viteve të rritet paga minimale. Projektligji ka për qëllim që të eliminojë dykuptimësinë që të lëvizimin tutje për pagën minimale. Deri në nivelin 250 euro, nuk do të ketë tatim. Ky projektligj e plotëson procedurën se si vije deri në pagën minimale në momentin kur kemi ngërçe në Këshillin Ekonomik Social. Ligji parasheh që kjo të mund të bëhet edhe me propozim të ministrit të Financave”, ka thënë ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Sipas tij, me miratimin e këtij ligji hapet edhe rruga për rritjen e pagës minimale.

Me këtë rast, ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta votojnë këtë projektligj.

“Ky është momenti i duhur, është e udhës që të ecet përpara me këtë ligj”, ka shtuar ai.

Ndërsa,  Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), ka thënë se ky ligj rregullon përfitimet për vetëm një kategori të shoqërisë.

Ish-Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

“Mënyrën se si e keni shkru këtë ligj, ju targetoni vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë. Nuk arrihet qëllimi përmes këtij ligji, qëllimi i barazisë sociale. Ky ligj nuk siguron që heqet diskrecioni politik në pagën minimale. Duhet të arrihet një dakordim, të zhvillohen negociatat për pagën minimale në Këshillin Ekonomik Social. Ne nuk mund të themi që i kemi konsumuar diskutimet e tilla dhe po lëvizim përpara pa Këshillin Ekonomik Social. Nuk mund të lëvizë përpara Qeveria pa një dakordim me bizneset”, ka thënë ai.

Tutje, Hoti u shpreh, gjithashtu, se pushteti e ka shkëputur pensionin e veteranit me pagën minimale.

Sipas Hotit, pensioni që merr një veteran është burim i të ardhurave dhe jo shpërblim, andaj nuk mund të ndahen këto dy kategori.

“Po ashtu heqet lidhja e pagës minimale me përfitimet që marrin veteranët e luftës. Një veteran i luftës, nëse merr pensionin e veteranit të luftës nuk mund të punojë. Përfitimet që marrin veteranët e luftës është burim i të ardhurave dhe jo shpërblim, dhe nuk mund të shkëputet kjo çështje. Nuk mund të thuash ne rrisim pagën minimale, e ju rrini aty ku jeni. Është burim i të ardhurave për veteranët e luftës”, ka thënë ai.

“E njëjta logjikë është edhe me kompensimin e personave të verbër. Besoni që nuk ka asnjë kuptim”, ka shtuar Hoti.

Ndërsa, Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK), ka thënë se këtë projektligj nuk do ta votojnë pasi, siç tha ai, është shkelur përcaktimi i pagës minimale si në kategorinë e veteranëve të luftës dhe personave me aftësi të kufizuar.

Mërgim Lushtaku, deputet i PDK-së

“GP i PDK-së i ka shqyrtuar projektligjet që përcaktojnë shumën për lartësinë e pagës minimale. Këtë projektligj nuk do ta votojmë se shkel përcaktimin e pagës minimale, personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët e luftës. Ju si LVV, e dimë shumë mirë që keni harruar shumë me ardhjen në pushtet, dhe keni harruar edhe dialogun social. Kjo që synon rritjen e pagës minimale (në esencë e mbështesim rritjen e pagës minimale), por duke e bërë me një dialog social. LVV synon që me rritjen e pagës minimale, të arrijë targetin e vet e gjoja kemi rritur pagën minimale. Kurti ka premtuar se paga minimale do të jetë jo më e vogël se 350 euro dhe kjo është një shkelje tjetër e premtimit të tij. Si PDK e shohim që po bëhet një dëm i madh te këto familje, dhe nuk do ta votojmë këtë projektligj”, ka thënë Lushtaku.

Edhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), ka thënë se janë kundër këtij projektligji.

Bekë Berisha, deputeti AAK-së

Berisha u shpreh se kategorinë e veteranëve të luftës në këtë projektligj e shohin shumë diskriminuese.

“Vetëm veteranët pensionin nuk e kanë si shpërblim, por burim për ekzistencë. Dhe nëse e marrin këtë pension nuk kanë të drejtë të punojnë diku tjetër, e shohim si qasje diskriminuese. Të rregullohet ky nen që të jetë në proporcion me pagën minimale. Kjo kategori këtu në kuvend s’duhet të diskriminohet. Ne jemi kundër këtij projektligji”, ka thënë deputeti Berisha.

Si rend i ditës në këtë seancë ishte shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurave të caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika