Në këtë objekt funksionon Shoqata e Invalidëve të Luftës, dega në komunën e Lipjanit.
Për të shkuar aty duhet kaluar katër palë shkallë sepse nuk ka ashensor.
Nuk janë të paktë anëtarët e kësaj shoqate që e kanë të vështirë të ngjitën atje, e raste të tilla përmend kryetari i degës, Bujar Karpuzi.
“Herën e fundit kur ndamë disa mirënjohje disa invalidëve për kontributin e tyre, njëri prej tyre ishte me patericë dhe u ngjitë deri në katin e katër dhe prej tjerash më tha; qeto nuk ta pata me borxh”, ka thënë Karpuzi.
Përveç invalidëve të luftës, edhe përfaqësues të kategorive të tjera të dala nga lufta veprojnë në katin e njëjtë.
Në këtë objekt gjendet edhe Organizata e Veteranëve të Luftës dhe Shoqata e Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së.
Karpuzi tregoi që edhe një kohë kanë mbetur pa energji elektrike në mungesë të mjeteve për ta paguar.
“ai objekt është pa mirëmbajtje totale, banjot janë tmerr, korridoret janë pakujdesje dhe përfundimisht kohëve të fundit e kanë shkyqur edhe energjinë elektrike”, ka shtuar Karpuzi.
Derisa nga përfaqësues të shoqatës, fajësohet komuna e Lipjanit se nuk u ka ofruar ndonjë zgjidhje, këta të fundit, thonë se ka munguar interesimi nga shoqata.
“Ne si komune disa here kemi publikuar listën e lokaleve për dhënien ne shfrytëzim mirëpo shoqata asnjëherë nuk ka aplikuar dhe deri më tani nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Sa I përket subvencioneve kohe pas kohe janë ndare mjete financiare me një shume simbolike, me qëllim të funksionimit të zyrës dhe realizimin e aktiviteteve të ndryshme të shoqatës. Mirëpo Rregullorja për ndarjen e Subvencioneve me shuma më të mëdha parasheh të aplikohet për subvencione vetëm përmes thirrjeve publike”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Hapësirat në fjalë, kategorive të dala nga lufta u ishin dhënë në shfrytëzim nga ish-kryetari i kësaj komune, Shukri Buja.