Gazetari Lirim Mehmetaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me debatin për Kodin Civil, i cili u zhvillua sot në Kuvendin e Kosovës mes tij dhe deputetit Eman Rrahmani.
Mehmetaj ka thënë se Kurti duhet të deklarohet qartë nëse i mbështet nenet e kontestuara të Kodit Civil, në vend që të shmangë një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje.
“Ti veç del një herë, bëhu i sinqertë! Kallxo që je për këto. Mos e merr në gojë më Kuranin ti, se kjo është në kundërshtim të plotë, në luftë të plotë me vlerat kuranore. Kjo është hipokrizia e tij”, ka deklaruar Mehmetaj.
Sipas Mehmetajt, Kurti duhet të dalë publikisht dhe të tregojë nëse është pro dispozitave të kontestuara të Kodit Civil, e jo të shmangë qëndrimin e tij për to.
Debati për Kodin Civil u zhvillua sot në Kuvend, pasi deputeti Eman Rrahmani e pyeti kryeministrin për dispozitën që do të mundësonte hartimin e një ligji të veçantë për regjistrimin e bashkësive civile ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
Rrahmani e kundërshtoi këtë dispozitë, duke thënë se e konsideron të dëmshme për familjen tradicionale, ndërsa paralajmëroi se do të përpiqet ta pengojë miratimin e Kodit Civil.
Kurti, në përgjigjen e tij, tha se Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme civile dhe se mbrojtja e familjes është pjesë thelbësore e saj. Ai theksoi se Kodi Civil përmban 997 faqe dhe 1 mijë e 630 nene, duke kritikuar përqendrimin e Rrahmanit në vetëm dy prej tyre.