Gjatë vitit 2023, Policia e Kosovës u përball me sfida dhe ndryshime të rëndësishme, të cilat përfshinin një numër të madh të dorëheqjeve nga zyrtarët e saj, veçanërisht nga pjesëtarët e komunitetit serb.
Këto ngjarje u shfaqën si pjesë e tensioneve të vazhdueshme në rajon dhe reflektuan sfidat ndëretnike në vend.
Në këtë vit raportohet se janë afër 90 zyrtarë policorë që kanë dhënë dorëheqje vullnetare nga ky dikaster.
Krahasuar me nëntorin e vitit 2022, një numër i madh i zyrtarëve policorë serbë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje si kundërpërgjigje ndaj një vendimi të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe të paligjshme në ato të Republikës së Kosovës.
Kjo masë doli të jetë një “shkak i madh i pakënaqësisë” dhe tensioneve në zonat me shumicë serbe. Kjo pakënaqësi nuk ishte direkt e komunitetit serb që jeton në Kosovë, por ky komunitet ishte i frikësuar dhe i detyruar nga grupet paramilitare e parapolitike të udhëhequra edhe nga Lista Serbe e të cytura e të përkrahura nga qeveria serbe në Beograd.
Sipas raporteve, gati 600 zyrtarë policorë dhanë dorëheqje, duke përfshirë zyrtarë nga policia e rendit publik, policia kufitare, shërbimet hetimore dhe njësisë speciale.
Dorëheqjet vullnetare nga Policia e Kosovës po shihen si fenomen shqetësues dhe po kërkohet që të merren hapa të menjëhershëm për parandalimin e këtij fenomeni. Mirëpo, ky trend i dorëheqjeve nuk ka goditur vetëm këtë institucion të sigurisë.
Që nga fillimi i vitit 2023 janë afër 90 dorëheqje nga ky institucion, ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.
Sipas Zeqirit, arsyet kryesore të dorëheqjeve vullnetare të zyrtarëve policorë janë pakënaqësitë me paga dhe kushtet e tjera, si sigurimi shëndetësor dhe jetësor.
“Të gjithë ata që po japin dorëheqje janë zyrtarë policorë, edhe me përvojë edhe me profesionalizëm të arritur, që do të thotë është dëm për vetë institucionin e Policisë së Kosovës dhe ky dëm mund të themi lirisht se lidhet edhe me shtetin, për shkak se jemi institucioni i vetëm i sigurisë në vend dhe normal që këto dorëheqje dobësojnë edhe institucionin e Policisë së Kosovës për shkak se të gjithë ata që japin dorëheqje janë profesionistë të dëshmuar me përvojën e tyre dhe rezultatet e tyre në punë”, ka thënë Zeqiri për Dukagjinin.
E vetmja formë që të ndalet ritmi i dorëheqjeve vit pas viti, sipas tij, është përmirësimi i kushteve për policinë.
“Ne jemi në dialog me Qeverinë dhe shpresojmë që të fillojnë me përmirësimin e këtyre kushteve me një pagë pak më të dinjitetshme dhe përmirësimin e kushteve tjera që na mungojnë. Ne jemi e vetmja polici në botë që nuk kemi sigurim shëndetësor, njëherit edhe mungesa e ligjit për pensionim në moshën 55-vjeçare”, ka përfunduar ai.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, është i mendimit se shkaqet që kanë çuar në dorëheqje të zyrtarëve policorë janë ato socio-ekonomike, sigurimi shëndetësor, pagat e ulëta dhe pakënaqësitë e ndryshme për pagesat e rrezikshmërisë.
“Policia e Kosovës ka investuar shumë në shkollimin, trajnimin e avancuar të zyrtarëve të saj, dhe këto dorëheqje ndikojnë keq edhe në efektivitetin e mëtejshëm të operacioneve të Policisë së Kosovës, për arsye se humbim profesionistët e trajnuar dhe profesionalizuar në departamente të ndryshme në polici. Të investosh në policin/en tonë dhe pastaj të dorëhiqet zyrtari policor, kjo nuk shkon në dobi të askujt dhe nuk ka logjikë”, ka thënë ai.
I po të njëjtit mendim me kryetarin e Sindikatës së PK-së, është edhe Dashevci, sa i përket parandalimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë.
Ai ka thënë se duke i plotësuar kushtet që nevojiten për mirëqenien e zyrtarëve policorë, respektivisht pagesat e dinjitetshme, mund të frenohen dorëheqjet e tilla nga ky dikaster.
“Puna e tyre është specifike në situata specifike për vendin. Rritja e pagesave të rrezikshmërisë në punë për njësitet policore, sepse ballafaqohen me rreziqe nga më të ndryshmet dhe rritja e pagesës së rrezikshmërisë është kërkesë reale”, ka thënë Dashevci për Dukagjinin.
Së fundi, ai bën thirrje që sigurimi për zyrtarët policorë të fillojë të zbatohet sa më parë edhe në praktikë.
“Nëse zyrtari policor sëmuret të mos e ketë brengën e sigurimit shëndetësor. Ai duhet thjesht të sigurohet sepse është nevojë imediate dhe duhet të gjenden modalitete që këto kërkesa të arsyeshme të realizohen në praktikë”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur më 27 tetor 2023, Qeveria e Kosovës kishte propozuar shtesat për pagesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se në këtë propozim përfshihen gjithsej 7 kategori të policëve që janë subjekt i shtesave të rrezikshmërisë.
Ai ka njoftuar për secilën kategori sa do të jetë shuma e shtesave.
Pjesëtarët e FIT-it, Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës, u ndanë të pakënaqur me këto shtesa dhe kanë protestuar për herë të parë në historinë e këtij institucioni para Qeverisë, për t’i shprehur pakënaqësitë me shtesat e rrezikshmërisë, pagën, por edhe shtesat e tjera.
Megjithatë, Kurti nuk u ka premtuar pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese plotësimin e kërkesave të tyre.
Nga ana tjetër, me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, pavarësisht se u ishte rritur paga bazë policëve, atyre të graduarëve më lartë u ishte zbritur paga në mënyrë të përshkallëzuar.
Andaj, ky ligj ishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit pas ankesave të shumta.
Më 26 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërinë e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Kushtetuesja rrëzon pjesërisht Ligjin e Pagave
Kështu, Kushtetuesja ka rrëzuar disa nga nenet e këtij ligji.
Më tej, Kushtetuesja i ka kërkuar Kuvendit që brenda 6 muajve, nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, t’i ndryshojë nenet e ligjit, të cilat janë shpallur antikushtetuese.
Kushtetuesja ka sqaruar katër kategoritë kryesore të aktgjykimit, ku, ndër të tjera, theksohet se me këtë aktgjykim nuk do të afektohen të gjithë ata zyrtarë, të cilëve u është rritur paga përmes këtij ligji.
Rrjedhimisht, të gjithë zyrtarët e sektorit publik që nga dhjetori i vitit të kaluar që kanë marrë pagë më të ulët shkaku i Ligjit të ri të Pagave, nga viti i ardhshëm pagat do t’u rikthehen në nivelin paraprak.
Pagat që i zbriti Qeveria tash i rrit Gjykata Kushtetuese
Ky është vendimi që institucioni më i lartë juridik, Gjykata Kushtetuese, ka publikuar gjatë së martës.