Në mes lotësh, Vlora Tuzi – Nushi rrëfen për periudhën e vështirë të saj

Vlora Tuzi-Nushi, drejtoreshë e organizatës Un Women, e ftuar në emisionin “Radar” në RTV Dukagjini, ka rrëfyer shumë nga sfidat që ka kaluar gjatë jetës, sidomos ato në periudhën e luftës.

Ajo tregon se si merrte rrugën për në Gjakovë vetëm një herë në tre muaj, si shkak i shumë “torturave” që duhej kaluar gjatë asaj rruge për të mbërritur në vendlindje.

“Unë s’kam mujt me udhëtu çdo vikend në Gjakovë. Unë maksimumi një herë në tre muaj kam shkuar se ishte e pasigurt rruga, unë përfundoja gati për infuzion, tetë orë rrugë duke vjellë e duke kaluar 100 sfida pyetje, nënpyetje, sepse ka qenë rrugë shumë torturuese për me mbërri”, është shprehur drejtoresha e Un Women, Vlora Tuzi-Nushi.

Tutje, ajo ka treguar se si e fillon ditën, duke u zgjuar zakonisht në orën pesë të mëngjesit, dhe thekson se këtë e ka të trashëguar nga gjyshja e saj.

“Unë e kam shprehi të zgjohem para diellit, është njëfarë amaneti që ma ka lënë gjyshja jem, ajo e ka pasur shumë bezdi me u çu vonë, edhe unë si fëmijë kam ndejt shumë te gjyshja. Gjyshja jem ka qenë një grua e jashtëzakonshme që më ka mësuar shumëçka, edhe zgjimin herët e kam të trashëguar, mandej njëjtë ashtu me babin”, ka thënë Tuzi-Nushi.

Drejtoresha e Un Women tregon edhe si zgjimi herët e përkushtimi ndaj vetës për çdo ditë nga një orë e ka shpëtuar nga një operim i vështirë.

“Përnjëherë t’u lexu ia nisa me ba ushtrime edhe joga pak meditim edhe vendosa që atë orën pesë deri në gjashtë e gjysmë, me ja kushtu veç vetes. Kur shkoj t’i bëjë analizat për operacion, kjo zgjati gati një muaj e gjysmë dhe doktoresha më tha të vazhdojë me recetën e njëjtë, sepse më nuk ka nevojë për operim”, ka rrëfyer Tuzi-Nushi.

Të fundit nga rubrika