Në mes të krimit serb dhe shpresës: Reçaku përmes syve të Walkerit

Ambasadori William G. Walker, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ka publikuar librin "Reçak: Historia e një krimi lufte". Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Walker ndau përvojat e tij mbi Masakrën e Reçakut, duke theksuar rëndësinë e saj si simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës dhe pikë kthese për ndërhyrjen ndërkombëtare.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka publikuar librin e tij të shumëpritur, “Reçak: Historia e një krimi lufte”, përmes shtëpisë botuese “Dukagjini”.

Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Walker rrëfeu përjetimet e tij lidhur me Masakrën e Reçakut, ndikimin e saj në historinë e Kosovës dhe rëndësinë që ky libër ka për të dhe për brezat e ardhshëm.

“Ky është një moment i rëndësishëm në jetën time. Dita e Reçakut, çfarë ndodhi atje dhe çfarë pasoi, natyrisht për mua janë meritore të tregohen në një libër. Dhe fakti që ‘Shtëpia botuese Dukagjini’ ka punuar shumë për të më ndihmuar mua ta publikoj këtë libër, jam shumë mirënjohës. Çfarë nënkupton libri? Do të thotë gjithçka për mua. Kam kaluar 25 vitet e fundit të jetës sime të gjatë duke menduar çdo ditë për Reçakun, duke menduar për Kosovën çdo ditë, dhe duke menduar se sa shumë ka përparuar Kosova dhe Kosovarët, pasi fituan lirinë”, ka thënë Walker.

Walker e përshkroi librin si një arritje personale, duke theksuar se kjo masakër ka qenë një pikë kthesë jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetëdijesimin ndërkombëtar mbi krimet serbe.

Ambasadori më tej ka shtuar se libri përfshin detaje që nuk janë ndarë më parë, duke përfshirë marrëdhëniet e tij me bashkëpunëtorë ndërkombëtarë dhe mirënjohjen ndaj atyre që ndihmuan në zbardhjen e të vërtetës për Reçakun.

“Siç e thashë, kam menduar për këtë ngjarje gati çdo ditë për 25 vitet e fundit. Padyshim që kam biseduar me shumë Kosovarë e shqiptarë gjatë këtyre viteve. Disa nga historitë e mia janë absolutisht të mbitreguara, disa nga to i tregoj vazhdimisht, sepse besoj se ato përfaqësojnë diçka, por disa pjesë tjera të librit do të jenë të padëgjuara për njerëzit”, ka thënë ambasadori.

Për Radio Dukagjinin, Walker gjithashtu rrëfeu vështirësitë në bindjen e komunitetit ndërkombëtar për ta klasifikuar masakrën si krim kundër njerëzimit, duke theksuar se ngjarja e Reçakut u bë simbol i vuajtjeve të popullit të Kosovës.

“Sepse, siç e them në libër, çfarë ndodhi në Reçak, dhe çfarë unë thash si përfaqësues i komunitetit ndërkombëtar, kishte rëndësi, por gjithashtu kishte rëndësi që liderët e Evropës dhe Amerikës Veriore, kishin arsyet e tyre si figura politike, për t’u hedhur në atë çështje që unë po e përshkruaja, dhe të thonë se kjo është e tmerrshme, duhet të bëjmë diçka në lidhje me këtë.

Disa nga ta, si Madeleine Albright kishin përjetuar atë që kishte ndodhur në Reçak, në Republikën Çeke kur ajo ishte fëmijë. Bill Clinton po përballej me probleme të shumta në mandatin e tij presidencial në Shtetet e Bashkuara, dhe dëshironte ndalimin e diskutimeve për Monica Lewinskin, dhe të diskutohet për diçka tjetër. Presidenti i Francës, i Gjermanisë, të gjithë kishin arsyet e veta për t’u përfshirë në temën e Reçakut, dhe gjëja e radhës që erdhi ishte një konferencë në Rambuje, një tjetër shans për Sllobodan Millosheviqin që të nënshkruante diçka, por ai ishte aq egoist saqë besonte se mund t’i thoshte botës se e zeza ishte e bardhë, siç mund të bënte deri në atë ditë. Ai bëri disa gabime.

Mendoj se Reçaku, siç e kam thënë edhe shumë herë, ishte një nga shumë masakra, në fshatra tjerë që janë shkatërruar. Krimi i luftës që u bë në Reçak nuk ishte më i madh se krimet e tjera të luftës që janë bërë në Kosovë, por u bë një simbol për atë që kishte ndodhur në Kosovë për shumë e shumë vite. Dhe përfundimisht, bota reagoi”, ka rrëfyer Walker.

Walker foli me krenari për progresin demokratik të vendit, duke përmendur lirinë e shtypit, sistemin drejtësisë dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve si disa nga arritjet kryesore.

“Më pëlqen çdo gjë që ka ndërtuar populli kosovar, 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë. Kosova është një margaritar në zemër të Ballkanit, që dikur cilësohej si një vend i dhunshëm i botës. Dhe unë vërtet mendoj, se Kosova do të shihet si rrugë drejt së ardhmes për Ballkanin dhe kësisoj edhe për Evropën.

Mendoj se fuqitë evropiane ende nuk e njohin këtë, por do ta pranojnë, se ajo që po e ndërtojnë shqiptarët e Kosovës këtu, është një demokraci e bukur dhe funksionale, me të gjitha cilësitë me të cilat matet demokracia: Lirinë e shtypit, lirinë fetare, kujdesin ndaj minoriteteve, një sistem drejtësie që funksionon, një polici që është e respektuar nga populli. Ka shumë pak vende që unë i di në botë, nëse ka një të tillë, që janë aq demokratike sa Kosova e sotme. Jam shumë krenar që kam marrë pjesë në këtë proces”, ka shtuar Walker.

Shija e redaktorit

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Kosova dhe SHBA-të do...

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Zëvendës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard Verma. Osmani pas takimit me zëvendës-ndihmës amerikan tha...

Të fundit nga rubrika