Derisa Rusia po vazhdon të kryejë sulme ajrore në pjesë të kryeqytetit të Ukrainës, vullnetarët dhe punonjësit e institucioneve publike janë duke u munduar të shpëtojnë bustet dhe statujat historike, kulturore në Kiev. Ata po mundohen t’i shpëtojnë, duke i rrethuar me thasë rëre dhe dërrasa druri.
Thasë me rërë janë vendosur edhe rreth statujës së kompozitorit ukrainas, Mykola Lysenko, i cili konsiderohet themelues i muzikës ukrainase, e që gjendet para Teatrit të Operës Kombëtare të Ukrainës.
Vitaly Mishenko është njëri prej atyre që i është bashkuar aksionit, i cili thotë se po pëpiqen t’i mbrojnë artefaktet historike nga sulmet ajrore sa më shumë që është e mundur, dhe se kanë nevojë për ndihmë shtesë në këtë drejtim
“Ne jemi përpjekur ta mbulojmë këtë statujë që nga dje. Unë vullnetarisht mbështes Bashkinë e Kievit në ruajtjen e një pune të tillë,” ka thënë Mishenko.
Ndërkohë, Vartan Azatian, një punonjës i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në Administratën e Qytetit të Kievit, ka thënë se vullnetarët i janë përgjigjur thirrjes në mediat sociale dhe po përpiqen të mbrojnë trashëgiminë historike të qytetit, edhe pse në fillimin e luftës nuk kanë pasur mundësi.
“Vullnetarët në Kiev na mbështesin me mjetet e tyre. Ata sjellin thasë me rërë ose dru në automjetet e tyre.” ka shtuar ai.
Aktualisht, mbrojta e koleksioneve të artit po bëhet duke i fshehur nëpër bodrume ose duke duke i dërguar në vende të tjera më të sigurta.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) këshilloi të gjithë anëtarët e saj që të përmbushin detyrimet e tyre profesionale, sipas Kodit të Etikës të ICOM-it për Muzetë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë, dhe sigurimin e muzeve dhe koleksioneve të tyre nga të gjitha llojet e rrezikut, përfshirë këtu edhe konfliktet.