Derisa Sindikata e Arsimit vazhdimisht paralajmëron greva për rritje të pagave, një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve nuk i merr fare ato, edhe pse e ushtrojnë profesionin njëjtë sikurse kolegët e tjerë.
Në komunën e Mitrovicës së Jugut, janë mbi 100 punëtorë të arsimit, mësimdhënës e personel teknik, që gjenden jashtë listës së pagave, e rrjedhimisht, ka muaj që nuk paguhen për punën e bërë.
Në një përgjigje me shkrim për RTV Dukagjinin, nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, kanë thënë se kanë dërguar kërkesë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacioni (MASHTI), për t’i përfshirë këta mësimdhënës në listë të pagave, sepse, sipas tyre, mund të rrezikohen financiarisht nga përmbaruesit.
“Gjatë vitit 2021, konkurset janë anuluar nga ish-kryetari i komunës. Në mungesë të procedurave të rregullta të rekrutimit me konkurs nuk i ka pranuar ministria në fjalë. Kontratat që kanë pranuar kanë pasur afat deri në publikim të konkursit. Kemi dërguar shkresë në MASHTI dhe kemi kërkuar përfshirjen e këtyre mësimdhënësve në pagesa për t’i ikur procedurave përmbarimore”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nga MASHT-i kanë thënë se duhet të bëhet rritja e limitit të punëtoreve, por kjo, sipas tyre, do duhej bërë gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit.
Ata nuk kanë treguar nëse ka informata apo jo, se a do të duhej të punësoheshin këta mësimdhënës, duke e ditur se do të jenë jashtë listës së pagave, sipas tyre kjo përgjegjësi i takon më shumë drejtorive komunale.
“Problemi qëndron te kufizimi i numrit të përgjithshëm të punonjësve brenda komunave. Për shembull, komuna i ka 776 punëtorë në listën e pagave, prej të cilëve në sektorin e arsimit 513. Në fakt ata kanë fonde për 703 norma të punës në arsim. Krejt çfarë duhet bërë është të kërkojmë rritjen e limitit prej 776 punonjësish. Kjo bëhet pjesë e procesit të përgatitjes së buxhetit dhe nuk ka të bëj aspak me Ministrinë e Arsimit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit për RTV Dukagjini.
Sipas Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), janë disa komuna që kanë numër relativisht të lartë të punëtoreve arsimorë që nuk janë në listën e pagave. Sipas tyre, prin Komuna e Mitrovicës, e pasuar nga Fushë Kosova dhe ajo e Ferizajt.
“Sipas informacioneve qe kemi ne, Komuna e Mitrovicës, Fushë Kosovës dhe Komuna e Ferizajt kanë numrin më të lartë të punëtorëve të arsimit që nuk janë në lista të pagave. Mitrovica mbi 100, Fushë Kosova mbi 56, Ferizaj mbi 40”, thuhet në përgjigjen e SBASHK-ut.
Nga SBASHK-u kanë thënë se arsyet për secilën komunë janë të ndryshme, në disa komuna, sipas tyre, kjo dukuri ndodh për shkak të numrit të madh të nxënësve, e si pasojë duhet të shtohet numri i mësimdhënësve.
Por, sipas SBASHK-ut ka, edhe raste kur komunat rekrutojnë mësimdhënës pa i respektuar rregullat, dhe për këtë arsye krijohen probleme të tilla.
Problemi i njëjtë edhe në Fushë Kosovë
Shtimi i nxënësve të rinj vit pas viti, ka bërë që Komuna e Fushë Kosovës, të rekrutoj mësimdhënës shtesë për t’i plotësuar nevojat e tyre.
Kështu kanë thënë Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në këtë komunës Samir Shahini.
Ai ka bërë të ditur se çdo vit Komunës së Fushë Kosovës, i shtohen rreth 550 nxënës të rinj, e që sipas Shahinit kryesisht vijnë nga komuna të tjera.
Ai ka treguar që kanë pasur bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Arsimit, dhe se këta të fundit kanë bërë vlerësimin e duhur për nevojat që ka komuna, por sipas tij “ I njëjti nuk gjene zbatim nga Ministria e Financave”.
Si pasoj e mungesës së buxhetit, nga Komuna e Fushë Kosovës, kanë bërë të ditur se kanë reduktuar numrin e të punësuarve, në mënyrë që të ofrohet një zgjidhje për punëtorët që gjendjen jashtë listës së pagave.
“Po ka qene i nevojshëm, dhe ne në fakt e kemi reduktuar ne maksimum numrin e te punësuarve jashtë listës se pagave përkundër nevojave. Ne nuk kemi punësuar psikolog, as pedagog, as mjaftueshëm sekretar e zv.drejtor te shkollave, dhe nuk kemi asnjë klase parafillore ne qytet. Te gjitha këto, vetëm e vetëm qe te ofrohet zgjidhje për numrin e madh te nxënësve qe shtohen ne klasat e rregullta 1-9”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Samir Shahini Drejtor i Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës.
Në lidhje me këtë çështje, RTV DUKAGJINI, i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Financave, se do ta shtojnë buxhetin për ta futur këtë kategori në listë të pagave, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.