Në një Shtet ku Ligji Humb Midis Fushës dhe Korrupsionit: Komedia e Errët e Futbollit të Kosovës

Në një botë ku fati i futbollit përcaktohet nga pasioni dhe sakrifica, Kosova na tregon anën më të errët të këtij sporti: një fushë loje ku vendimet nuk i merr trajneri, por kërcënimet dhe presioni i Agim Ademit dhe Muharrem Sahitaj, me presion edhe politik brenda.

Përtej dhunës verbale, manipulimeve, dhe kompromiseve të heshtura, Federata e Futbollit të Kosovës ka kthyer lojën në një dramë të korruptuar, ku rolet janë të ndara midis autokratëve dhe atyre që nuk guxojnë të flasin.

Pas humbjes me Rumaninë, presidenti i Federatës, Agim Ademi, nuk ngurroi të kalojë çdo vijë morale duke kërcënuar hapur lojtarët Zhegrova, Muriç, dhe Muslija: “Mbajeni mend, do ju thyej këmbët. Do ju lë pa klub dhe pa të ardhme”.

Ky kërcënim nuk është një thashethem në kafene, por një fakt që tashmë është paraqitur në polici. E megjithatë, deri tani askush nuk ka lëvizur as gishtin për të marrë masa ndaj këtij akti të hapur të dhunës verbale.

Si mund të ndodhë kjo? Të gjitha rrugët të çojnë te një sistem ku klubet dhe kryetari janë pjesë e së njëjtës makineri. Vijnë për të kërkuar para, dhe, çuditërisht, gjithmonë i marrin. Bëhet fjalë për raste ku janë dhënë deri në 10 mijë euro për klube qe kane vere presion për lojtarë që janë futur në kombëtare jo për meritë, por për presionin e votës që ata e kanë në dorë.

Kështu funksionon futbolli ynë: kryetari është i rrethuar nga klube që ia kanë zënë frymën me votën e tyre, dhe për të mos rrezikuar pozicionin, ai thjesht zbaton.

Në këtë fushë të “sukseseve të mëdha”, krejt çka kemi janë disa fusha me bar sintetik dhe disa media dhe portale të paguara për të shpërndarë një propagandë të papërtypshme. Ajo që mungon, është realiteti: futbollistët që zgjidhen nga një njeri që nuk ka lidhje me sportin dhe një bord që thjesht voton çdo propozim që vjen nga kryetari, pa menduar dy herë. E kur Foda, trajneri i kombëtares, kërkoi të dalë në një konferencë shtypi pas humbjes, u ndalua sepse nuk i pëlqente Ademit kritika që kishte për federatën. Kjo është e gjithë loja: kritikat nuk dëgjohen, dhe ata që flasin, ndëshkohen.

Rasti i Zhegrovës, i cili paralajmëroi se nuk do të grumbullohej për shkak të kërcënimeve të Ademit, është shembulli më i qartë i hakmarrjes. Zhegrova u përjashtua jo sepse kishte dalë në një lokal nate, por sepse pati guximin të flasë hapur për problemet e brendshme të federatës. Dhe ky dënim ishte për t’i mbyllur gojën.

Dhe ndërkohë që ne flasim për fusha të gjelbra, e vetmja fushë hibride është ajo e korrupsionit të Federatës dhe politikës. Një milion euro për një bar artificial që shitet si “hibride”? E në anën tjetër, inspektorët e ministrisë thonë se fushat nuk kanë rëndësi—çfarë ka rëndësi janë zgjedhjet që po vijnë.

Dhe ja ku jemi: në një sistem që vazhdimisht përplas kokën me një mur të bërë nga para, korrupsion dhe autokraci.

Për sa i përket inspektorëve të Ministrisë së Sportit dhe Kulturës, sjellja e tyre përbën një dështim moral dhe politik të thellë. Kur inspektorët vijnë për të kontrolluar projektin e fushës hibride dhe deklarojnë se nuk i intereson cilësia e saj, por vetëm zgjedhjet që po afrojnë, ata dështojnë në detyrën që kanë ndaj sportit dhe qytetarëve. Kjo është një shprehje e pastër e korrupsionit politik dhe e humbjes së çdo integriteti në institucionet publike.

Në vend që të mbikëqyrin projektet e financuara nga fonde publike dhe të sigurojnë standardet e larta të cilësisë, këta inspektorë janë fokusuar vetëm te mbajtja e pushtetit dhe përfitimet e tyre politike. Janë gati të lejojnë përdorimin e materialeve të dorës së dytë për një projekt që duhej të ishte simbol i zhvillimit sportiv të Kosovës. Ky është një shembull i qartë se si një klasë politike e korruptuar është e aftë të tradhtojë interesat e vendit vetëm për t’i mbijetuar zgjedhjeve të ardhshme.

Në vend që të angazhohen për të mirën publike dhe të mbrojnë interesat e futbollit kosovar, këta inspektorë e kanë kthyer profesionin e tyre në një mjet për të siguruar pushtetin e vet dhe të atyre që i kanë vendosur në ato pozita. Kjo situatë është një tregues i qartë i degradimit të institucioneve tona, ku politika dhe zgjedhjet janë kthyer në vlerën e vetme.

Gjithashtu: Kur Kosova ka luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” me Izraelin, gjendja e fushës ishte një tragjedi e vërtetë sportive dhe morale. Me baltë, gropa dhe gjelbërim të pakët, ajo nuk i ngjante aspak një fushe ku përfaqësuesja e një shteti luan përballë botës. Mediat dhe vetë lojtarët, të zhgënjyer, kishin shkruar se fusha i ngjante një “stalle lopësh”.

Ky përshkrim flet shumë për nivelin e turpshëm të keqmenaxhimit, që vjen jo vetëm si dështim teknik, por si pasqyrë e moralit të kalbur politik dhe sportiv në Kosovë.

Çfarë flet kjo për moralin e një federate dhe të institucioneve që duhet të jenë shembuj të zhvillimit dhe progresit? Ajo qëndron si një turp kombëtar, që reflekton jo vetëm paaftësinë e një federate të korruptuar, por edhe indiferencën e politikanëve që mbyllin sytë ndaj një problemi kaq evident. Kur fusha e “Fadil Vokrrit”, simbol i sportit kosovar, duket si një fushë lope, çfarë tregon kjo për imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare? Tregon një vend që dështon në gjërat më bazike, në ato që përfaqësojnë krenarinë dhe dinjitetin e tij.

Përballë një situate të tillë, ku fushat degradojnë dhe investimet e miliona eurove zhduken në korrupsion, pyetja mbetet: si mundet që ata që duhet të mbajnë lart imazhin e Kosovës, e lejojnë këtë të ndodhë pa u ndjerë? Një vend që mburret me kontributet e tij në sport ndërkombëtarisht, por që brenda kufijve të tij ofron pamje të një atmosfere ku vetëm fusha lopësh ndërtojnë.

Përfundim:

Si mund të ndodhë që një bord (komiteti ekzekutiv, ky emër i madh) dhe një kryetar të mbajnë nën kontroll të plotë një federatë të tërë? Përgjigjja është e thjeshtë: kur futbolli bëhet një lojë pushteti dhe interesash, dhe kur ata që duhet të mbrojnë sportin, janë ata që e shkatërrojnë.

Në këtë farsë të pa kompromis, pyetja që mbetet nuk është “si ndodhi kjo?” por “kur do të ndalojë?” Sado që dënimet e futbollistëve të mbahen si armë ndaj çdo kritike, një gjë është e sigurt—drejtësia nuk mund të blihet përherë, dhe loja një ditë do të ndërpritet. Pyetja është vetëm, kush do të mbetet në fushë? /Albanian Post

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika