Në OKB pritet të votohet për një armëpushim në Gazë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka të ngjarë që të votojë të martën, më 20 shkurt, për një kërkesë të Algjerisë që u kërkon 15 anëtarëve të Këshillit të mbështesin një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën mes Izraelit dhe Hamasit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka të ngjarë që të votojë të martën, më 20 shkurt, për një kërkesë të Algjerisë që u kërkon 15 anëtarëve të Këshillit të mbështesin një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë, thanë diplomatët.

SHBA-ja ka sinjalizuar se do të vendosë veto për një votim të tillë.

Më shumë se dy javë më parë, Algjeria ka prezantuar një draft-rezolutë fillestare. Por, ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, menjëherë tha se teksti i rezolutës rrezikon “negociatat e ndjeshme”, që synojnë të arrijnë një pauzë në luftime.

Më 17 shkurt, Algjeria kërkoi që Këshilli i Sigurimit të votojë të martën, thanë diplomatët. Që të miratohet një rezolutë në këtë institucion kërkohet që të paktën nëntë vota të jenë për dhe asnjë veto.

Fuqinë e vetos në Këshill të Sigurimit e kanë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Kina dhe Rusia.

“SHBA-ja nuk mbështet veprimet në këtë draft-rezolutë. Nëse vjen për votim kështu siç është hartuar, nuk do të miratohet”, tha ambasadorja Thomas-Greenfield përmes një deklarate.

SHBA-ja, që mbështet Izraelin në luftën e fundit kundër Hamasit, por që i ka kërkuar që të bëjë gjithçka që mundet që të mbrojë civilët në Gazë, veçse ka vendosur veto dy herë në Këshill që nga 7 tetori, kur nisi lufta në Gazë. Uashingtoni po ashtu ka abstenuar dy herë, duke i lejuar Këshillit të Sigurimit të miratojë rezoluta që synonin të rrisnin ndihmën humanitare në Gazë dhe bënin thirrje për një zgjatje urgjente të pauzës në luftime.

Bisedimet mes SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit synojnë që të arrihet deri te një pauzë në luftime dhe lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit të tij në Izrael më 7 tetor.

“Është kritike që edhe palët e tjera t’i japin shans këtij procesi që të jetë i suksesshëm në vend se të shtyjnë përpara masa që vënë në rrezik atë”, tha ambasadorja amerikane në OKB.

Gjatë sulmit më 7 tetor në Izrael, Hamasi vrau afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ajrore dhe tokësore në Gazë që deri më tani, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, ka vrarë mbi 28.000 persona në enklavën e rrethuar.

Mundësia që OKB-ja të votojë për rezolutën e prezantuar nga Algjeria ndodh në kohën kur Izraeli po planifikon që të nisë një ofensivë në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin. Në këtë qytezë mbi 1 milion palestinezë janë zhvendosur për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të Gazës, duke rritur shqetësimet ndërkombëtare se një lëvizje e tillë nga Izraeli do të përkeqësonte krizën humanitare në Gazë./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika