Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, më 22 shkurt dënoi pushtimin rus të Ukrainës si shkelje të Kartës themeluese të OKB-së dhe së drejtës ndërkombëtare.
Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u debatua për miratimin e një mocioni që mbështet Kievin dhe i kërkon Rusisë që të tërhiqet menjëherë dhe pa kushte nga Ukraina. Ai e quajti pushtimin rus një “fyerje” për ndërgjegjen kolektive të botës.
Guterres foli edhe për kërcënimet ruse për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.
“Ne kemi dëgjuar kërcënime të nënkuptuara për përdorimin e armëve bërthamore. I ashtuquajturi përdorim taktik i armëve bërthamore është krejtësisht i papranueshëm. Është koha për t’u larguar nga ky qëndrim”, i tha Guterres Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh, shkruan REL.
Qëkur Moska pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt të vitit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, ka lënë të kuptohet vazhdimisht se Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohet.
Dje, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se komuniteti global i ka kërkuar vazhdimisht presidentit rus, Vladimir Putin, që të mos i përdorë kërcënimet bërthamore në përplasjen e tij me Perëndimin për luftën në Ukrainë.
Në fjalimin e 21 shkurtit drejtuar kombit, Putini tha se është “i detyruar të njoftoj se Rusia është duke e pezulluar pjesëmarrjen në traktatin për armët strategjike”.
Ai ka thënë se Rusia nuk po tërhiqet nga marrëveshja, mirëpo vetëm po e pezullon pjesëmarrjen.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Rusisë më 21 shkurt që ta rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e pjesëmarrjes në këtë traktat.
I ashtuquajturi START-i i Ri, është traktati i vetëm për armët bërthamore në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, i cili është zgjatur për pesë vjet më 2021.
I nënshkruar fillimisht më 2010, ky traktat ua kufizon palëve posedimin e kokave bërthamore me rreze të gjatë në 1.550, shifër më e vogël sesa ajo që ka qenë në marrëveshjen fillestare.