Në prag të zbatimit të vendimit të Qeverisë për targat e pakonvertuara

Vetëm edhe të hënën e 31 tetorit, veturat me targa të lëshuara nga Serbia do të mund të lëvizin lirshëm në territorin e Kosovës. Kjo sepse, të martën e një nëntorit, do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës, që parasheh vërejtje dhe gjoba për ata që nuk i konvertojnë targat ilegale në ato RKS

Ilustrim





Në mesnatën e së hënës së një nëntorit, do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS.

Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet në tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.

Duke  filluar nga një nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes.

Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.

Ndonëse, para vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës, raportohej për sulmet nga strukturat kriminale serbe ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave nga ato ilegale në ato RKS, të dielën e 30 tetorit, dy ditë para se të nisë zbatimi i këtyre masave, situata në Veri është raportuar e qetë.

Që nga një shtatori i këtij viti, në Veri të Kosovës janë regjistruar tri raste të djegies së veturave të qytetarëve që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS.

Disa ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i është kërkuar që të shtyhet vendimi për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj. Kësaj thirrjeje i është bashkuar edhe Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse morri vendim për shtyrjen e këtij afati, megjithatë, ai vendosi masat e ashtuquajtura “qortuese”.

Ky vendim nuk u prit mirë nga SHBA-të.

SHBA-të dhe BE-ja u shprehen të zhgënjyera, pasi Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e tyre për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, për 10 muaj.

“Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në postimin e reagimin e SHBA-ve.

Kurse, në reagimin e BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.

Marrëveshja për targat midis Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011, në Bruksel.

Automjetet me targat serbe me akronimet e qyteteve të Kosovës si PR, KM, GL, e të tjera, është dashur të regjistrohen sërish në RKS ose me status neutral – KS.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, shumica e popullsisë serbe që jetojnë në katër komunat në Veri të Kosovës, kanë vozitur makina me targa të qyteteve në Kosovë.

Të njëjtat lëshoheshin nga ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Ndërkaq, qytetarët e Kosovës nuk lejoheshin të hynin në territorin e Serbisë me targa RKS.

Ata është dashur t’i zëvendësojnë ato me targa të përkohshme për të cilat kanë paguar rreth pesë euro, të vlefshme për 60 ditë.

Me marrëveshje, Kosova është detyruar që edhe për pesë vjet të tjera të lëshojë targa KS, të cilat Serbia i ka pranuar.

Kjo periudhë pesëvjeçare ka përfunduar më 15 shtator të vitit 2021.

“Ky ishte afati i fundit për heqjen dhe përdorimin e këtyre targave, si dhe të targave me shkurtesat KM për Mitrovicën, PR për Prishtinën, UR për Ferizajn, PZ për Prizrenin dhe GL për Gjilanin”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 20 shtator të po të njëjtit vit, teksa kishte shtuar se këto targa do të konfiskohen.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese.

Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Më 18 gusht 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë raundit të dialogut në Bruksel, dështuan të arrinin marrëveshje për targat dhe dokumentet, që rritën tensionet mes shteteve.

Por, unioni ndërkombëtar u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më një shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.

Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjofime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.

Megjithatë, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Deri te marrëveshja për dokumentet erdhi pas angazhimit të diplomatëve evropianë dhe amerikanë të cilët kërkuan nga palët që të arrinin një ujdi dhe të shmangnin dhunën në veri të Kosovës.

Borrell kishte thënë se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Targat sikurse KM, PR, PZ, UR e të ngjashme konsiderohen të jashtëligjshme nga Kosova, dhe Prishtina kërkon që pronarët e makinave me targa të tilla t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.

Serbia ka kërkuar që këto targa të zëvendësohen me targat e mëhershme KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por kjo është kundërshtuar nga kryeministri Kurti.

Edhe pse targat serbe në Kosovë konsiderohen si të paligjshme, ato deri më tani janë toleruar në Veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe një gusht, serbët lokalë në Veri të Kosovës kishin vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit.

Por, me kërkesë të ndërkombëtarëve, vendimi për zbatimin e tyre ishte shtyrë për një shtator.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika