Orat janë instaluar e edhe vendosja gypave është bërë, por Sejdi Shabani nga fshati Orllan i Podujevës vazhdon ende mos të ketë ujë të pijes.
Fillimi i projektit për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këtë fshat i kishte gëzuar pa masë banorët tri vjet më parë, por gëzimi i tyre duket se mbeti në gjysmë.
Data nga e cila Shabani dhe banorët e tjerë të Orllanit do të mund të gëzonin këtë projekt ka kaluar, por ujin nuk e panë asnjëherë.
“ Që tri vjet, edhe erdhen e hydisen cevat e thani thanë pe lëshojnë prit që pe lëshojnë s’ka, vjet më 1 shtator kanë thanë e lëshojnë por nuk e lëshun, edhe më ble po duhet verës se nuk kemi ujë për pije”, ka thënë Shabani.
Gjendet pranë liqenit, por në vend të banorëve të Orllanit, ujin e tij e përdorin më shumë se gjashtë komuna të Kosovës.
Shkaku se gjatë verës ka mungesë të ujit ka filluar edhe boshatisja e fshatit, derisa thonë banorët thonë se qeveritarët për ta kujtohen vetëm gjatë kohë së zgjedhjeve.
“Shumë e kanë lëshu fshatin shkaku i këtyre problemeve pasi pa ujë s’kemi, s’besoj që kanë me rregullu deri në zgjedhje pasi veç për vota vinë këtu e na shohin, jemi dëshpëru”, ka thënë Agron Hyseni.
Projekti për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në këtë fshat ishte paraparë të përfundonte në gusht të vitit 2022, por një problem me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, doli të jetë shkaktar i bllokimit të punimeve.
“Ka qenë një problem pasi kanë qenë dy kontrata, e para ka qenë më një kompani zvicerane dhe e dyta ka qenë më Ministrinë e Mjedisit e që fatkeqësisht procedurat nuk janë iniciuar vitin e kaluara dhe kanë qenë të planifikuar diku rreth 400 mijë euro për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit, po presim jemi në kontakt me Ministrinë e Mjedisit”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitija.
Për ngecjet e projektit, Ministria nuk i ka dhënë përgjigje televizionit Dukagjini.
Në vitin 2019 kur kishte filluar ky projekt ishin paraparë mbi 1 milion euro për shtrirjen e ujësjellësit në këtë pjesë.