Në emisionin “Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, këtë të hënë ishte e ftuar Brikena Avdyli nga fondacioni Jahjaga për të folur më shumë rreth kauzës së shitjeve të brendit të veshjes “Një në tre”, nga ky fondacion, i cili ndihmon në pavarësimin e grave që kanë pasur dhunë në familje.
“Një në tre” është krijuar më qëllim të vetëdijësimit të njerëzve për dhunën në familje pasi sipas statistikave një në tri gra përjetojnë dhunë, informatë mjaft alarmuese, është shprehur Brikena Avdyli.
Koleksioni i veshjeve ka ardhur si bashkëpunim me figura të ndryshme, dizajnet e të cilave marrin emrin sipas tyre dhe pastaj kërkesat për porosi mund të pranohen online përmes ‘Gjirafamall” dhe përmes kontaktit tek fondacioni në rrjetet sociale.
Shitjet e këtyre rrobave, ju ofrojnë mundësi punësimi të gjitha grave që të pavarësohen financiarisht.
Në bisedë e sipër, Brikena Avdyli ka ndarë me audiencën e Radio Dukagjinit njërin prej rrëfimeve të atyre grave që e ka prekur më shumë. Ajo ka përmendur dhunën fizike, duke potencuar një rast kur një grua është përballur me marrjen e parave të saj nga burri gjë që i ka pamundësuar edhe blerjen e qumështit për fëmijën.
Pastaj, ka përmendur edhe njërën prej grave të fondacionit që pas luftës i ka rritur fëmijët e saj duke shitur punime punë dore.
Në fund të bisedës, ajo ka shprehur falënderim për bashkëpunimin që ka gjetur nga emisioni “Radar” dhe për përkrahjen e projektit që të sigurojnë sa më shumë vende pune për gratë që kanë nevojë të pavarësohen.