Në Simpoziumin Ndërkombëtar “Filozofema”, filozofët dhe teoretët Ismail Tasholli, Kresimir Purgar, Ridvan Emini dhe Matija Vigato diskutojnë për filozofinë, teknologjinë dhe artin

Në Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë në Prishtinë, disa prezantime u mbajtën nga studiues dhe teoret të njohur, duke trajtuar tematika që lidhen me teknologjinë, artin dhe filozofinë

Në Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë i cili po mbahet në Prishtinë të organizuar nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës (SHFK) në ditën e parë të këtij simpoziumi janë paraqitur me kumtesa Ismail Tasholli, Kresimir Purgar, Ridvan Emini, Matija Vigato.

Studiuesi i filozofisë Ismail Tasholli ka prezantuar temën: “E bukur si Marilyn, i mençur si Enistein-i”.

“Konteksti i krijuar tekno-politik na bën të ndërgjegjshëm për kontekstualizimin e raporteve të njeriut me maqinat, inteligjencën artificiale, bio-teknologjinë dhe Big Data-të. Kjo e shtron pyetjen e rëndësishme që ta kuptojmë këtë kontekst e ajo është : A po rikuptimsohen konceptet tona për botën si rezultat i një Revolucioni Teknologjik? Nga kjo del dilema e mundësisë së mbajtjes së domethënieve “të vjetra” përballë botëve “të reja”. E dilema vazhdon në regjistrin e raportit mes vetëdijes dhe intelegjencës”, ka thënë Tasholli gjatë shpalosjes së kumtesës së tij.

Ismail Tasholli në Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, Prishtinë 20/10/2023

Ndërsa historiani dhe teoricieni i artit, Kresemir Purgar nga Zagrebi në simpozium ka prezantuar kumtesën: “Imazh ose Realitet? Teknologjia dhe Ikonologjia tek Wim Wenders, Ridley Scott dhe Denis Villeneuve”.

Në këtë ligjëratë, ne do të tregojmë se si teknologjia ndikon në ndryshimin e të kuptuarit tonë të imazheve. Në paralele me popullarizimin e vizualizimeve virtuale, shkenca bashkëkohore e imazheve duhet të shpjegojë se çfarë ndodh me fotografitë kur ato pushojnë së qeni vetëm sipërfaqe dydimensionale në kanavacë ose ekran dhe fillojnë të pushtojnë hapësirën fizike. Duke ndjekur njohuritë e ofruara nga filmat Until the end of the world [Deri në fund të botës] dhe Palermo shooting [Xhirimet Palermo] nga Wim Wenders, Blade Runner nga Ridley Scott dhe Blade Runner2049 nga DenisVilleneuve, ne do të tregojmë transformimin e imazhit nga një sipërfaqe e sheshtë në një vizualizim hapësinor. Për më tepër, ne do të pyesim nëse ‘imazhet mjedisore’; të tilla mund të konsiderohen ende imazhe, duke pasur parasysh parakuptimet filozofike të Jean-Paul Sartre, Gottfried Boehm dhe Jean-Luc Nancy, të cilët mbrojtën specifikën ontologjike të imazhit-si-diferencë. Ne do të përpiqemi të bëjmë të qartë se si koncepti i diferencës, me një ‘ndihmë të vogël’; nga teknologjia, ndryshon plotësisht mënyrën se si ne i kuptojmë imazhet dhe realitetin”, ka thënë ndër të tjera teoricieni i artit Purgar.

Kresemir Purgar në Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, Prishtinë 20/10/2023

Filozofi dhe njëherit drejtori i Simpoziumit Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, Ridvan Emini ka trajtuar temën “Muzika si Aritmetikë”.

Ai ka thënë se zhvillimet në fushën e teknologjisë dhe artit për të cilat parafolësit folën, nuk mund të bëjnë shkëputje nga burimi, e burimi i të gjitha këtyre fushave është në antikë, përkatësisht te Pitagora.

Ridvan Emini në Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, Prishtinë 20/10/2023

“Gjeneza është në antikë, te Pitagora, te numrat siç thotë edhe vetë ai. Andaj edhe zhvillimi teknologjik, edhe progresi në artë në esencë kanë numrin, gjeometrinë, aritmetikën përkatësisht matematikën. Andaj, tema ime do ju kthej tek burimi i gjërave, tek numrat(Pitagora)”.

“Pitagora dhe shkolla pitagoriane në përgjithësi në shumë çka përcaktuan konturat në të cilat do të punojnë filozofët e mëvonshëm. Ata në një mënyrë ose tjetër përcaktuan pistat e mendimeve të cilat më pas do të pranohen apo edhe do të kundërshtohen, por që në cilëndo formë të trajtimit të tyre shërbyen si mendime bazë. Muzika si aritmetikë përmes teorisë së tingujve dhe frekuencave erdhi nga Pitagora, pra një nga kontributet më të rëndësishme të Pitagorës në muzikë është zbulimi i lidhjes midis gjatësisë së një note muzikore dhe raportit të numrave të plotë. Ai përdori edhe konceptet e numrave dhe raporteve të tyre për të analizuar harmoninë në muzikë”, ka thënë Emini gjatë ekspozesë së tij.

Kurse filozofja Matija Vigato nga Zagrebi ka prezantuar temën: “Post-fenomenologjia dhe Videolojërat”.

“Bota jonë bashkëkohore është e përshkuar me teknologji, dhe ndërveprimi ynë me të, gjithnjë e më shumë është teknologjikisht i ndërmjetësuar. Video-lojërat, si një nga format më të fundit të artit, në thelb mbështeten në teknologji. Përvoja e lojës shpaloset përmes një ndërveprimi kompleks midis trupit fizik të lojtarit, ndërfaqes së përdoruesit, botës së lojës digjitale, trupit përfaqësues digjital dhe pajisjes teknologjike që gjeneron reagime vizuale. Në këtë ligjëratë, përvoja e lojërave do të hulumtohet duke identifikuar dhe shqyrtuar sistematikisht ndërmjetësimet teknologjike brenda saj. Lista e mediatorëve teknologjike do të përfshijë ato [medime] të propozuara nga postfenomenologu Don Ihde: 1. Relacioni i Trupëzimit, 2. Relacioni hermeneutikë, 3. Relacioni i alteritetit dhe 4. Relacioni i sfondit, njashtu dhe ato nga Peter-Paul Verbeek: 5. Relacioni i Fusionit, 6. Imersionit (Zhytjes), dhe 7. Agumentimit (Shtimit). Përgjatë kësaj analize do të hulumtohen koncepte të tilla si transparenca, zmadhimi/reduktimi, mikro/makro perceptimi, përbërja e fushës, sedimentimi, imazhi i trupit dhe skema e trupit; dhe teza se videolojërat janë një formë e teatrit kiborg në mënyrë kritike të vlerësuara. Duke synuar të zbulojë strukturën e përvojës së luajtjes së videolojërave, objektivi kryesor i kësaj ligjërate është të thellojë të kuptuarit tonë për artin digjital bashkëkohor dhe të njohë potencialin e tij”, ka thënë Vigato në prezantimin e kumtesës së saj para të pranishmëve në Prishtinë.

Matija Vigato në Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë, Prishtinë 20/10/2023

Simpoziumin Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë i cili po mbahet në Prishtinë të organizuar nga Shoqata e Filozofëve të Kosovës (SHFK) e mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës dhe përkrahur nga Universiteti i Prishtinës(UP) do të vazhdoj punimet edhe më 21 (e shtune) tetor ku do të ketë prezantime të tjera të rëndësishme si në rrafshin e filozofisë, artit dhe teknologjisë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika