Në Prishtinë është duke u mbajtur Simpoziumi Ndërkombëtar Ndër/Transdisiplinar “Filozofema” për Filozofinë, Artin dhe Teknologjinë. Në ditën e dytë të këtij simpoziumi më 21 tetor janë paraqitur me kumtesa disa emra eminent botërorë.
Filozofi, eseisti, kritiku i artit, teoricieni i medias Boris Grojs ka prezantuar temën “Ekspozimi i Aparatuseve Tekno-Ideologjike”, me anë të një videolidhje nga qyteti i Nju Jorkut.
“Ekspozita e artit dhe, veçanërisht, ekspozita muzeale paraqet jo vetëm disa imazhe në vështrimin tonë, por gjithashtu demonstron ‘apparatusin’ e brendshëm të paraqitjes të saj – mënyrën në të cilën vështrimi ynë përcaktohet, orientohet dhe manipulohet. Ekspozita nuk është thjesht selektive– ajo shfaq selektivitetin e vet. Ekspozita ekspozon vetveten – përpara se të ekspozojë diçka tjetër. Ky është dallimi kryesor midis një ekspozite dhe Internetit. Ndërsa interneti fsheh aparatusin e paraqitjes së imazheve që një ekspozitë e zbulon”, ka thënë mes tjerash Grojs gjatë shtjellimit të tezës së tij.
Nga Roterdami i Holandës filozofi Henk Oosterling ka prezantuar në Prishtinë temën: “Dasein është dizajn. Drejt një diagnoze eko-filozofike të Antropocenës”.
Ai tha se “Kushti ynë aktual njerëzor është radikalisht mediokër. Ne, por veçanërisht trans-humanistët dhe eko-modernistët, besojmë vërtet në teknologji. Ndjenja e tyre e urgjencës është e rrënjosur në ekranet e të gjitha llojeve të mediave: nga mekanika kuantike nëpërmjet skanimeve MRI dhe Instagramit deri te mbikëqyrja satelitore. Mediat sundojnë jetën tonë. Për të trajtuar konsumin jo kritik të rehatisë teknologjike të drejtuar nga të dhënat, nevojitet një diagnozë hipokrite e gjendjes tonë në antropocenë. Hipo-kritike sepse jemi edhe subjekt edhe objekt i kësaj diagnoze”, ka thënë ai.
Më tej ai është shprehur se “Edhe në këtë lak diskursiv nuk është e mundur asnjë arratisje, d.m.th për sa kohë që ne pohojmë diskursin e vjetër të gjendjes njerëzore. Ky qark i shkurtër tashmë është analizuar nga Foucault tek The Order of Things (1966). A Cyborg Manifesto i Haraway-it (1985) e cila e çoi këtë koncept në një nivel tjetër. Prezantova mediokritetin radikal në vitin 2000 dhe po ashtu idenë se ‘Dasein është dizajn’; në vitin 2009 që e mbrojti Bruno Latour-i. Ndërsa, Peter Sloterdijk-u hoqi dorë nga ideja e një gjendjeje tekniko-psikologjike. Duke i futur këto analiza në një diskurs ndërkulturor, duke adoptuar dhe përshtatur konceptet dhe praktikat japoneze dhe kineze, dhe duke e përkthyer këtë në një kontekst ekozofik (Naess, Guattari) shpresoj të zbuloj një perspektivë më produktive në kohën e ekopanikut”, ka thënë ndër të tjera Oosterling.
Ndërsa filozofja e famshme nga Maqedonia e Veriut, Katarina Kolozova ka vlerësuar lartë simpoziumin e Prishtinës duke thënë se është e nderuar të jetë në mesin e filozofëve nga Kosova dhe atyre të kalibrit botërorë. “Faleminderit për ftesën, ishte e mrekullueshme, më pëlqeu ngjarja dhe njerëzit e mrekullueshëm që takova atje”.
Ajo ka prezantuar “Techne, Arti dhe Teknologjia si rast për ta menduar posthuman-in/post-njeriun dhe nonhuman-in/jo-njeriun”.
“Ne argumentojmë se ‘Poetika’ e Aristotelit shfaq një pikëpamje unike të artit apo krijimit poetik si një rrafsh i ndërlidhur me sferat e tjera të proceseve kognitive dhe kreative njerëzore si filozofia, shkenca, teknologjia, të gjitha të cilat rrjedhin nga qendra e nocionit të technē-s. Ky pohim është i ndërtuar mbi premisën se vet Gjuha është vetëm një technē, artefakt dhe gjithashtu është ajo që përjetësohet mbi parimin e automatizmit. Andaj, vetja (selfhood) është hibridi i të vërtetës së zbrazët (i materialitetit) dhe gjithashtu i mekanicitetit i cili është në zemrën e iluzionit për organicitetin sublim apo imanencën e pastër të supozuar të Gjuhës”, ka thënë njëra nga 25 gratë më me ndikim në filozofi në 10 vjetët e fundit, Katerina Kolozova.
Në ditën e parë të simpoziumit kanë prezantuar edhe filozofë të tjerë si Alan Malachowski (Afrika e Jugut), Ismail Tasholli (Kosova), Kresimir Purgar (Kroacia), Ridvan Emini (Kosova) e Matija Vigato (Kroacia).