Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten e 17 qershorit, ka pritur në takim përfaqësuesit e veteranëve për të gjetur një zgjidhje në lidhje me pakënaqësitë e tyre për shkëputje nga paga minimale.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, bëhet e ditur se në këtë takim kanë marrë pjesë, Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës.
Sipas njoftimit, është ritheksuar përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së.
Në këtë takim është biseduar edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë takim të përbashkët të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltari i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja.