Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se do të vendosen cisterna me ujë të pijes nëpër lagje të qytetit për shkak të ndërprerjes së furnizimit të premten pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.
Cisternat do të vendosen në Lagjen e Boshnjakëve, lagjet pranë Spitalit dhe pranë Stacionit të Policisë.
“Të nderuar qytetarë, si pasojë e sulmit terrorist mbrëmë në kanalin e Ibër-Lepenc, është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Ju njoftojmë se sot do të vendoset cisterna me ujë të pijes në lagjet e qytetit të Mitrovicës Veriore, sipas orarit të mëposhtëm: 13:00 – Lagjja e Boshnjakëve; 13:45 – Lagjet pranë Spitalit; 14:30 – Lagjet pranë Stacionit të Policisë”, thuhet në njoftim.
Komuna ka njoftuar se cisterna do të ketë edhe në lagje të tjera vazhdimisht deri në rifillimin e furnizimit të rregullt me ujë.