Njohësi i aviacionit civil, Arlind Imeri, përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se aeroplani i linjës Basel-Prishtinës ka devijuar fluturimin për në Aeroportin e Shkupit.
Sipas Imerit, ishte e pakuptimtë tentativa e pilotit të aeroplanit të provonte të ateronte të Prishtinë, përkundër kushteve të rënda atmosferike.
“Dje për shkak të kushteve të rënda atmosferike, aeroplani i linjës Basel – Prishtinë ka qenë i obliguar të devijoj fluturimin për në Aeroportin e Shkupit. Për hirë të së vërtetës, deri këtu gjithçka në rregull. Ajo çfarë ishte e pa kuptimtë është tentativa e pilotit të kompanisë Trade Air që të provonte të ateronte në Prishtinë përkundër kushteve të rënda atmosferike. Në momentin e futjes në stuhinë e fuqishme e cila po qëndronte mbi Aeroportin e Prishtinës, aeroplani u përfshi nga një turbulencë dhe humbje të lartësisë që nuk e kisha parë ndonjëherë më parë, gjë që shkaktoi panik dhe frik tek pasagjerët që ishin në bord”, ka shkruar Imeri.
Imeri ka theksuar se veprimi i pilotit ka “rrezikuar” 180 pasagjerët që ishin në bord dhe si pasojë e kësaj pasagjerët janë detyruar të zbresin në Aeroportin e Shkupit.
“Mbi 5 minuta tmerr që nuk kisha parë ndonjëherë, përgjegjës të vetëm kanë qenë pilotët e kësaj linje, sepse nuk eshte normale rrezikimi i mbi 180 jetëve vetëm pse ka rastisë që në bord të jetë një pilot i krisur. Si pasojë e kësaj, disa pasagjer të cilët kishin përjetuar sulme të panikut, u detyruan të zbritnin në Aeroportin e Shkupit për të kërkuar ndihmë mjekësore. Më vonë dë të dal me një shkrim për fluturimin, sjelljen e kosovarëve në këtë fluturim e deri tek përjetimet nga turbulenca”, ka shtuar Imeri.
Gjithashtu, Imeri ka shpërndarë një video, ku shihen dhe dëgjohen pasagjerët të kenë frikë dhe panik.