Shehrije Hajrizi, nëna e Faton Hajrizit, ka rrëfyer për përjetimet që, sipas saj, i kanë ndodhur djalit të saj derisa ka qenë në burgun e Mitrovicës si 15-vjeçar, pasi e kishte vrarë një ushtar rus.
Ajo ka thënë së vetë Fatoni i ka rrëfyer se si njëherë i janë futur katër persona në qeli dhe si e ka mbrojtur veten.
“Kur ka ardhë në vikend. Ma ka tregu një rast. Tha m’i kanë shti katër veta në dhomë. Për mos me ndodhë qajo, i kam pre durt. Kjo ka ndodhë në vitin 2000. E ka mbrojtë veten me qat pasqyrë, i ka pre durt e veta”, ka treguar nëna e Faton Hajrizit në një intervistë në “T7”.
Më pas, ajo përmend edhe një rast tjetër, kur thotë se djali i saj është vënë në dijeni nga një pastruese që të mos e hajë ushqimin në burg, meqë kanë dashur ta helmojnë.
“Ajo e ka lajmëru, mos e ha ushqimin se janë tu dashtë me të helmu. Në atë kohë na kanë lanë me i cu do keksa do sene. Ajo pastruesja i ka thanë mos e ha këto dy ditë ushqimin se janë tu dashtë me të helmu. Aty u kanë e mundshme çdo sen me i ndodhë”, ka thënë ndër të tjera.
Hajrizi para më shume se një javë është arratisur – për herë të nëntë – nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës.