Nëna e Navalnyt i kërkon Putinit t’ia dorëzojë trupin e të birit

Autoritetet ruse kanë refuzuar disa herë që të dorëzojnë trupin e Navalnyt te familja e tij, duke pretenduar se po kryhen “hetime” për të kuptuar shkakun e vdekjes dhe që procesi mund të zgjasë dy javë

Nëna e Aleksei Navalnyt, Lyudmila, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin që të lirojë trupin e djalit të saj, i cili ka vdekur më 16 shkurt, në një burg në Arktik.

Autoritetet ruse kanë refuzuar disa herë që të dorëzojnë trupin e Navalnyt te familja e tij, duke pretenduar se po kryhen “hetime” për të kuptuar shkakun e vdekjes dhe që procesi mund të zgjasë dy javë.

Ato kanë pamundësuar qasjen e nënës dhe avokatëve në morgun në qytetin e Arktikut, Salehrad, ku raportohet se është trupi i Navalnyt.

“Mbrapa shpinës sime është burgu IK-3, Ujku Polar, ku ka vdekur djali im Aleksei Navalny, më 16 shkurt”, ka thënë Lyudmila Navalnaya përmes një video, kur shihet duke qëndruar në borë, jashtë objektit të rrethuar me gjemba.

“Nuk kam mundur të shohë trupin e tij për pesë ditë. Nuk ma kanë dorëzuar dhe nuk më kanë treguar se ku është”, ka thënë Navalnaya, duke iu drejtuar Putinit me emër, pa iu referuar si president.

“Po të them ty, Vladimir Putin, sepse zgjidhja e këtij problemi varet vetëm prej teje. Më lejoni ta shoh djalin tim. Kërkoj që trupi i Alekseit të lirohet menjëherë, që të mund të varroset në mënyrë njerëzore”, ka thënë Navalnaya.

Gati 70.000 qytetarë rusë kanë dërguar kërkesë zyrtare te Komiteti Hulumtues i Rusisë, që trupi i Navalnyt t’i dërgohet familjes.

Teksa rritet zemërimi për shkak të refuzimit të autoriteteve dhe spekulimeve për shkakun e vdekjes së Navalnyt, e veja e tij, Yulia Navalnaya, ka pretenduar se autoritetet ruse janë duke shtyrë afatin e dorëzimit të trupit, derisa të zhduken gjurmët e helmimit të tij me Noviçok.

E veja e kritikut të Kremlinit ia ka vënë fajin Putinit për vdekjen e burrit të saj, dhe është zotuar se do të vazhdojë luftën kundër Kremlinit, dhe do të sigurohet që të ndëshkohet fajtorët.

Kremlini e ka konsideruar ‘vulgare dhe të pabazuar’ akuzën e Yulias.

Llogaria e saj është pezulluar për pak kohë në platformën X – të njohur më parë si Twitter.

Ajo e ka hapur llogarinë më 19 shkurt, tri ditë pas vdekjes së burrit të saj.

Bashkimi Evropian ka kërkuar hetim të pavarur për shkakun e vdekjes së Navalnyt.

Navalny është një tjetër person në listën e kundërshtarëve të Putinit që kanë vdekur nën rrethana të dyshimta në Rusi, ose jashtë saj.

Prej kur është bërë i ditur lajmi për vdekjen e tij, policia e Rusisë ka arrestuar më shumë se 430 persona që kanë kryer homazhe për Navalnyn./REL

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika