Qamil Durakoviq, është nënkryetar i Republikës Srpska. Jeton në Srebrenicë dhe është i mbijetuari i Masakrës në këtë qytet.
Ai në një intervistë ekskluzive për Radio Dukagjinin ka deklaruar pritjen për miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Kjo Rezolutë propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Gjatë së enjtes me fillim nga 16:00, pritet të votohet kjo Rezolutë, e sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda – e për të cilën Durakoviq është i bindur se do të kalojë.
Gjithashtu, Durakoviq kujtoi se në vitin 2015 ishte iniciuar një Rezolutë për Srebrenicën, e sponsorizuar nga Britania e Madhe, por nuk kaloi.
“Dallimi në mes të vitit 2015 dhe sot është se rezoluta është shqyrtuar në Këshillin e Sigurimit dhe natyrisht është pritur që Rusia do ta përdorë veton. Kjo është arsyeja pse nuk kaloi. Por sot situata është ndryshe, pasi që Asambleja e Përgjithshme do ta shqyrtoj rezolutën, e cila kërkon shumicën e thjeshtë. Kemi parë që shumë vende kanë qenë bashkë-sponzorizues, përveç sponzorizuesve Gjermanisë dhe Ruandës. Mendoj se kësaj radhe, shumica e botës së civilizuar ka dhënë qëndrimin e kristaltë ,andaj jam gati i sigurt se sot në Asamblenë e Përgjithshme rezoluta do të miratohet”, ka deklaruar Durakoviq.
Tensionet e mundshme pas miratimit të Rezolutës, Durakoviq i quan vokabular politik të Serbisë zyrtare dhe përfaqësuesve serb në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët po tentojnë ta paraqesin situatën kaotike.
“Pikërisht me fabrikimin e tensioneve po përpiqen ta pengojnë miratimin e kësaj rezolute duke e shfaqur situatën në Bosnje e Hercegovinë kaotike. Por, këtu nuk ka fare tensione . Bëhet fjalë për rezolutën që konstaton diçka që është konfirmuar nga Gjykatat ndërkombëtare, në atë Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatën Penale për ish Jugosllavinë”, ka vijuar ai.
Duke komentuar deklaratat e presidentit të Republika Srpska, Millorad Dodik, përfshirë atë se me kalimin e rezolutës, nënshkruhet fundi i Bosnje dhe Hercegovinës, Durakoviq thotë se etnonacionalisti Dodik nuk ka fuqi për shkatërrimin e Bosnjës.
“Nuk është Millorad Dodik ai që ka kapacitet ,në kuptimin politik , deri në atë masë që mund të bëjë diç që Bosnje Hercegovina të shkatërrohet. Kishte tentime edhe në vitet e 90-ta të fuqive më të mëdha nga Beogradi, të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm, Millosheviq me gjithë atë fuqi të armatës jugosllave. Tentoi të bëjë agresion ndaj Bosnjës dhe ish republikave e krahinave të ish-Jugosllavisë dhe e dimë si përfundoi kjo politikë.Sot e kemi Kosovën, që është shtet i pavarur dhe të gjitha republikat që janë shtete të pavarura”, ka theksuar Durakoviq.
Krahas kësaj, Durakoviq foli edhe për arsyet e mosnjohjes deri më tash të pavarësisë së Kosovës nga ky shtet, duke theksuar se pengesa për njohjen e Republikës së Kosovës qëndron te rregullimi kushtetues që e ka Bosnja.
“Pikërisht. Bosnja e Hercegovina ka rregullim të tillë , që qëndrimet shtetërore duhet të reflektojnë qëndrimet e tre popujve . Dhe ky është fakt i dhimbshëm. Në këtë rast janë serbët ata që po e bllokojnë Bosnje Hercegovinën në rrugën për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Ky është problem i vetëm. Sa i përket boshnjakëve dhe hercovasëve (kroatëve), si dhe atyre që e duan Bosnje Hercegovinën, nuk ka dilema. Për ne Kosova është shtet i pavarur dhe këtu nuk ka dilema. Nga ana tjetër, janë vetëm serbët, apo përfaqësuesit e tyre që bëjnë obstruksion, jo vetëm në rastin e ekzistimit të shtetit të Kosovës. Ata po tentojnë t’i bëjnë obstruksion edhe shtetit të tyre, Bosnje e Hercegovinës duke bërë që është e mundur për tra shkatërruar”, ka shtuar nënkryetari i RS-së.
Për kosovarët ka edhe një mesazh: “Po ndajmë fatin e njëjtë, kemi probleme të njëjta që vijnë nga instanca e njëjtë, por do t’ia dalim”.
“Po kalojmë periudhë të njëjtë dhe Serbia që ka sjellje të tillë, në fakt po tenton që me fuqitë që i ka politike dhe diplomatike të pengoj ekzistencën e shtetit të Bosnje Hercegovinës dhe pavarësinë e Kosovës. Kështu, po ndajmë fatin e njëjtë, kemi probleme të njëjta që vijnë nga instanca e njëjtë, në këtë rast në veçanti nga Beogradi. Neve na mbetet që të qëndrojmë dhe mendoj që përfundimisht e kemi bërë për vete tërë botën, apo së paku botën e civilizuar. Duhet të jemi dinjitoz, demokrat dhe të tregojmë se ne jemi popuj të civilizuar evropian që e donë lirinë dhe dëshirojnë t’i gëzojnë të drejtat e njëjta si të gjithë qytetarët e vendeve demokratike”, ka shtuar Durakoviq.
E ndër të tjera, i pyetur nëse e ka të vështirë ta ushtrojë postin e nënkryetarit të Republikës Serbe dhe çfarë fuqie ka në këtë pozicion, Qamil Durakoviq, që është i mbijetuari i Masakrës së Srebrenicës, qytet në të cilin vazhdon të jetojë thotë se fuqia e tij dhe përfaqësuesve boshnjak është e vogël.
“Është shumë e kufizuar meqë Kushtetuta e këtij entiteti përcakton se presidenti i ka dy nënkryetar, që vijnë nga dy përkatësi etnike konstituive nga radhët e kroatëve dhe boshnjakëve.Pozicioni i nënkryetarit është që e zgjedh populli dhe unë përfaqësoj interesin e boshnjakëve .Ky entitet me kushtetutë nuk i takon popullit serb, ani se për fat të kaq, e ka emërtimin e tillë. Kjo pozitë e imja është e limituar, pasi që shumicën në parlamentin e entitetit e përbëjnë politikat rreth Dodikut. Edhe Qeveria e këtij entiteti është me shumicë e politikës së Dodikut. Këtu e kemi problemin. Ne nuk kemi kurrfarë ndikimi, pasi që nuk kemi duar të mjaftueshëm në parlament, që të kundërshtojmë atë çka Dodik po bënë . Me këmbëngulësi po përpiqemi të kundërshtojmë këto politika dhe këtë do ta bëjmë derisa të ekzistojmë në këto hapësira, përkatësisht deri në ditën e Gjykimit”, ka potencuar Durakoviq.