Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, të dielën ka njoftuar se është realizuar me sukses kursi i përbashkët i nënoficerëve të Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) me kolegët e tyre të Policisë ushtarake të FAR të Shqipërisë.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se për tetë javë, nga ana e instruktorëve të PU shqiptare, nënoficerët nga Kosova u specializuan në kursin e avancuar të policimit ushtarak, mbajtur në Rinas.
“Vazhdojmë drejt sukseseve të radhës. Së bashku gjithmonë më të fortë”, ka shkruar Mehaj.
Ministri ndër të tjera ka theksuar se FSK ka përfunduar me sukses trajnimin për qitje luftarake me mortaja.
“Shtohen kapacitetet tona të specializuara me armë të zjarrit indirekt për mbështetje të afërt me zjarr me kalibra dhe municione të ndryshme. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ushtarak në mes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe FSK-së, nën drejtimin e instruktorëve të forcave tokësore shqiptare, është realizuar me sukses trajnimi i përbashkët me realizimin e qitjeve luftarake me mortaja dhe xhenion luftarake, në poligonin kombëtar të Bizës”, ka shkruar Mehaj.