Në njoftimin e MCC-së, thuhet se kjo marrëveshje është bërë për ta forcuar sektorin energjetik të Kosovës.
“Sot, MCC dhe Qeveria e Kosovës përmbyllën një javë produktive negociatash për një marrëveshje kompakte të propozuar prej 236.7 milionë dollarësh, e krijuar për të forcuar sektorin energjetik të Kosovës”, thuhet në njoftimin e MCC-së.
Po ashtu, sipas MCC-së, përmes këtij fondi synohet ulja e kostove të energjisë për familjet dhe bizneset.
“Investimet e MCC-së janë krijuar për të forcuar sektorin energjetik duke nxitur një qasje të drejtuar nga tregu për uljen e kostove të energjisë për familjet dhe bizneset, duke inkurajuar efiçencën e energjisë dhe duke zhvilluar burime të reja të prodhimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.
Ky program, sipas njoftimit përveç forcimit të sektorit të energjisë, do përmirësojë vendimmarrjen dhe llogaridhënien në Kosovë.
“Programi gjithashtu mbështet përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar vendimmarrjen dhe llogaridhënien duke rritur aksesin dhe përdorimin e të dhënave gjyqësore, mjedisore dhe të fuqisë punëtore”, thuhet ne njoftimin e MCC-së.
Në ditën e parë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte pritur në takim nga kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhej se ky takim shënonte fillimin e negociatave me MCC-në për projektin Kompakt, që, sipas tyre, e kalon shumën e 200 milionë dollarëve e cila u nënshkrua të premten e që parasheh ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.