Kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, kanë nënshkruar marrëveshjen për emigrantët.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për media, ku Rama e Meloni folën rreth kësaj marrëveshjeje.
Rama ka thënë se Shqipëria nuk mund të jetë zgjidhja për situatën e vështirë ku ndodhet Italia në këto momente, por mund të japë një ndihmë, pasi pas futjes në Itali, sipas tij, emigrantët e paligjshëm e kanë shumë të lehtë të lëvizin në çdo vend të BE-së.
Sipas Ramës, Shqipëria i është në borxh të madh Italisë për pritjen e refugjatëve në vitet ’90, ndaj, nëse ajo thërret, Shqipëria duhet të përgjigjet.
“Shqipëria nuk është një vend i BE-së, por është shtet evropian. Ne jemi në Evropë, jemi një shtet evropian. Kjo nuk na pengon për të parë botën si evropianët. Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër të BE-së, sepse ka një diferencë të madhe, mes asaj që lidh Shqipërinë me Italinë dhe italianët me shqiptarët. Sikurse kam thënë në raste të tjera, nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, ka thënë Rama.
Ndërkaq, Meloni ka thënë se Italia do të jepte kontribute financiare për të realizuar këtë marrëveshje.
“Italia do të veprojë sipas pjesës së saj në anën ekonomike duke kontribuuar financiarisht. Refugjatët ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohen në mes të atyre që kanë të drejtë dhe jo. Për numër popullsie kemi rreth 3 mijë persona dhe si fluks mund të arrijë 36 mijë persona në muaj. Marrëveshja nuk përfshin të miturit. Juridiksioni i këtyre qendrave do të jetë italian. Në portin e Shëngjinit ku do të zbarkojnë, do të ndërtohet një qendër pritjeje dhe screening, pastaj do ketë një strukturë tjetër. Pjesa shqiptare do të merret me gatishmërinë e kontrollimit. Kemi qëllim të jetë operative në pranverën e ardhshme”, ka thënë Meloni.