Nënshkruhet marrëveshja për financimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë

Ministria e Financave e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje kredie prej 15 milionë euro me Fondin Saudit për Zhvillim për financimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje kredie me Fondin Saudit për Zhvillim në vlerë prej 15 milionë euro për financimin e një segmenti të rrugës Prishtinë-Mitrovicë.

Kjo kredi do të përdoret për financimin e segmentit që fillon nga Smrekonica deri në Mitrovicë, një gjatësi prej 5 kilometrash.

Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe përfaqësuesit e Fondit Saudit për Zhvillim.

Ministri Aliu theksoi rëndësinë e këtij projekti për shkak të vëllimit të trafikut dhe ndikimin pozitiv që do të ketë në jetën e qytetarëve.

“Ky segment është pjesë e projektit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë dhe do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të transportit për qytetarët”, ka thënë Aliu.

Ministri Murati shtoi se marrëveshja kap vlerën e rreth 14 milionë eurove, ndërsa pjesa tjetër do të jetë bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës.

“Mesatarja ditore e automjeteve në këtë rrugë është rreth 27 mijë. Do të doja të falënderoja Fondin Saudit për Zhvillim për mbështetjen dhe të ritheksoj përkushtimin e Qeverisë për thellimin e partneritetit me Mbretërinë e Arabisë Saudite”, ka thënë Murati.

Drejtori ekzekutiv i Fondit Saudit për Zhvillim, Sultan A. Almarshad, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe përfitimet që do të sjellë ky projekt në zvogëlimin e trafikut dhe aksidenteve.

“Kjo marrëveshje është vazhdim i projektit të financuar nga fondi që nga viti 2013 dhe do të ndihmojë në zgjerimin e rrugës në dy autoudhë”, ka thënë Almarshad.

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika