Nëntë punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës për katër muaj në Kosovë. Edhe në rastet kur punëtorët lëndohen, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se askush nuk i mbështet.
Sipas tij, në Kosovë rrezikshmëria në punë është katërfish më e madhe se në perëndim.
Ai konsideron se kushtet e punës nuk kanë ndryshuar, e as nuk janë rritur pagat, përkundër ngritjeve drastike të çmimeve. Azemi shprehet se Kosova nuk ka arsye të festojë 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shkruan KP.
Shumë vende janë të hapura për punë, por Azemi thekson se qytetarët nuk duan të punojnë, për shkak të pagave të ulëta.
“E kemi rrezikshmërinë katërfish më të madhe sesa në Perëndim. Kemi shifra jashtëzakonisht fatkeqe për ne, që vetëm në tremujorin e gjysmë të këtij viti, kemi 9 raste kur kanë pësuar me fatalitet”, ka thënë ai.
“Paga, nuk kemi kontrata serioze, Trust serioz, pa institucion që e mbështet punëtorin deri sa të përfundojë procesi i sëmundjeve”.
Azemi konsideron se Kosova nuk ka pse e feston 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Kryesindikalisti thekson se nuk ka përmirësim të kushteve për punëtorët e sektorit privat të Kosovës.
“Të flasësh për festim, është e rëndë, këtu kemi vend për protestë, sepse pjesa dërrmuese e sektorit privat të Kosovës punojnë sot për neser, nuk e kemi lluksin të festojmë. Të festojmë i bie sikur t’i biesh murit me kokë”.
Më tej, potencon se nuk ka rritje të pagës minimale e as sigurim shëndetësor. Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës do të protestojë të hënën, me kërkesën për përmirësim të kushteve të punëtorëve.
“Situata e përgjithshme e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës karakterizohet me një ngritje jashtëzakonisht alarmante të çmimeve, të cilat ne i përdorim gjatë jetës sonë. Gjatë kësaj periudhe, kemi pasur shumë çështje pandemike, çështje të ndryshme që nuk kemi mundur t’i përcjellim me hap dhe pagat që i kemi. Gjendja sa i përket raportit të pagave që i kemi marrë dhe shpenzimeve që i kemi pasur është rritur në favor të shpenzimeve, sepse edhe sot kemi një pagë 180 euro dhe e dini shpenzimet sa kanë shkuar”.
“Nuk kemi aspak një përmirësim të raportit punëdhënës-punëmarrës, asnjë ndryshim kemi sa i përket orientimit të Qeverisë së Kosovës kah përmirësimi i kushteve të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës. Është ajo që ka qenë para dy-tri vjetësh, ose më mirë të themi, para 10 vjetësh, sepse nuk kemi një ngritje të pagës minimale. Nuk kemi një marrëveshje kolektike, nuk kemi një sigurim shëndetësor për punëtorë, nuk kemi asgjë. Jemi si në periudhën para 10 vjetësh “, thotë ai.
Protesta do të nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti”, në drejtim të Teatrit Kombëtar të Kosovës.