Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë raportit ditor i ka iniciuar nëntë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit. Bazuar në raportin e PK-së, në të gjitha rastet viktimat janë gra.
Fillimisht, në Prishtinë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, e dhunë ka thënë se ka pasur edhe më parë.
Viktima ka njoftuar se nuk ndihet e rrezikuar, e pas intervistimit me dëshirën e saj ka shkuar në strehimore me dy fëmijët e saj. Prokurori është njoftuar për rastin, e rasti u iniciua si “dhunë në familje”.
“Lidhur me rastin, në prezencë të zyrtarit të QPS-së viktima pas intervistimit, me dëshirën e saj ka shkuar në strehimore bashkë me (dy) fëmijët e saj. Lidhur me rastin është informuar prokurori, ndërsa i dyshuari pritet që të intervistohet pasi të sigurohet prezenca e tij. Rasti duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa, në Obiliq një grua ka raportuar se djali i saj i birësuar, që sipas saj s’ka qëndrueshmëri psikike, i ka shkaktuar dhunë. Me vendim të prokurorit, pas trajtimit mjekësor në psikiatri, ai është dërguar në mbajtje.
“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se djali i saj i birësuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili nuk ka qëndrueshmëri psikike (i sëmur), ka shkaktuar dhunë ndaj saj. I dyshuari me vendim të prokurorit, pas trajtimit mjekësor në psikiatri është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Tutje, në Fushë-Kosovë janë iniciuar dy raste të dhunës e janë arrestuar dy persona, pasi njëri dyshohet se kishte rrahur bashkëshorten dhe vajzën e tij, e i dyshuari tjetër ka sulmuar fizikisht të fejuarën.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare, bashkëshorten dhe vajzën e tij. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa nga i dyshuari është sekuestruar një armë gjuetie për të cilën posedonte leje dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Në rastin e parë të dyshuarit i është sekuestruar një armë gjueti që e posedonte me leje. Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht të fejuarën e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet tutje.
Ndërsa, në Shtime është arrestuar një grua, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, e e dyshuara është dërguar në mbajtje.
Në Gjakovë, Policia i ka iniciuar dy raste të dhunës në familje.
Një grua ka raportuar se vazhdimisht është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj. Ajo ka kërkuar urdhër mbrojtës, e i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, me të meta mentale pasi që i njëjti i kishte keqtrajtuar dy viktimat femra kosovare, nënën dhe bashkëshorten. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
E, në Mitrovicë të Jugut një grua është ankuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar në vazhdimësi dhunë ndaj saj.
“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima së bashku me fëmijët e saj është dërguar në strehimore”, thuhet në njoftimin e policisë.