Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur të mërkurën e 17 prillit ditë zie në Kosovë në kujtim të grave e vajzave të vrara.
Sipas Osmanit, shoqëria duhet të jetë në zi çdo ditë derisa të ketë vrasje të grave.
“Nesër do të jetë ditë zie shtetërore në Kosovë, por shoqëria jonë do të jetë në zi çdo ditë përderisa të ketë vrasje të grave dhe vajzave tona”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Sot, një grua 43-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili ishte dënuar më parë për dhunë në familje.
Tani të tre fëmijët e tyre janë në kujdesin e familjarëve të tyre ndërsa i dyshuari është në mbajtje për 48 orë.
Ky është rasti i dytë në pesë ditët e fundit, e vrasjes së grave në Kosovë.
Më 12 prill, një 21-vjeçare u vra brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Për vrasjen e saj është arrestuar ish-bashkëshorti i saj, të cilit autoritetet ia kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji.