Nesër [e martë] pritet të hapet aplikimi për subvencionimin e izolimit të shtëpive dhe pajisjeve efiçiente të ngrohjes.
Për këtë ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE).
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më parë për subvencionimin e izolimit të shtëpive të tyre dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes. Kurti shtoi se “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.
Në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, Kurti ka thënë se kjo masë ka qenë ndër më të mirëpriturat vitin e kaluar, ndërsa këtë vit synim është subvencionimi i 1300 familjeve.
Tutje, Kurti tha se për shkak të interesimit të lartë, pakoja do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar, ndërsa ka shtuar se pakoja është pjesë e përkrahjes emergjente të BE-së, ku Kosova përfitoi 75 milionë euro, shumën më të lartë për kokë banori në rajon.
“Bashkimi Evropian ka lansuar pakon përkrahëse emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës përfitoi 75 milionë euro, apo shumën më të lartë për kokë banori në rajon. Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e efekteve socio-ekonomike. Kur kemi dizajnuar këtë pako, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afat-shkurte. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset tona”, deklaroi Kurti.
“Një ndër masat më të mirëpritura vitin e kaluara, është pikërisht kjo që po e lansojmë sot, pra masat për efiçiencën e energjisë në shtëpitë e juaja. Thirrja ka qenë e parimit të njëjtë, kush vjen i pari shërbehet i pari. Interesimi ka qenë e lartë dhe si rezultat, thirrja për 13 ditë, ndonëse ka qenë e paraparë që të jetë e hapur për 45 ditë, kësaj radhe mbetet e hapur për dy javë”.
“Duke pasur parasysh interesimin e madh të familjeve ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë. Nga thirrja e parë ka përfituar 2 100 familje me mbi 12 mijë anëtarë, vlera totale e subvencionit ka arritur vlerën 7.9 milionë euro. Kësaj here synojmë të subvencionojmë 1 300 familje të tjera për të izoluar shtëpitë e tyre”, ka thënë Kurti, raporton EO.
- Aplikimi për të përfituar nga këto masa përfshinë:
- Hapjen e llogarisë në e-Kosova;
- Verifikimi i konsumimit të energjisë përmes kësaj platforme;
- Nëse kalojnë kriterin e konsumit të energjisë, të angazhojnë një auditor të energjisë i cili do të bëjë raportin e thjeshtëzuar të auditimit;
- Pasi të marrin këtë raport të thjeshtëzuar të auditimit, mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova, duke plotësuar të gjitha fushoret dhe duke ngarkuar raportin e auditimit.
Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se synojnë që në vitet e ardhshme ta zgjerojnë skemën për efiçencë të energjisë elektrike, pasi ajo e vitit të kaluar ishte treguar e suksesshme.
Në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, Rizvanolli u shpreh e kënaqur me skemën e vitit të kaluar, për të cilën konsideron se nuk ka pasur ankesa nga qytetarët.
“Ky objekt në të cilin jemi sot është pak më i freskët sesa që është jashtë për shkak se këtu janë zbatuar masat e efiçencës së energjisë në kuadër të projektit në bashkëpunim me Bankën Botërore, në kuadër të së cilit janë zbatuar masat e eficencës në sektorin publik në dhjetëra objekte. Arsyeje tjetër sigurisht është që është një moment për të reflektuar për rrugëtimin tonë në efiçencë dhe për Fondin veçanërisht gjatë këtyre viteve të fundit.Një vit pas, skema e kaluar jo vetëm që kaloi pa probleme, pa asnjë ankesë nga qytetarët, mirëpo ishte aq e suksesshme sa do të mbahet mend gjatë. Në vitet e ardhshme plani është që kjo skemë të vazhdohet përmes një sistemi më të vetëqëndrueshëm të financimit në të cilin Fondi është duke punuar me përkrahjen e partnerëve zhvilluar për të zhvilluar dhe për të zgjedhur një model të financimit”., deklaroi Rizvanolli.