Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të premten, më fillim prej orës 12:00, ku në rend dite është debati parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, i cili njihet si terrorist.
Kjo seancë vjen pas publikimit të një audio-incizimi ku Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me Radojçiq, duke diskutuar për çështje të votimeve në Kuvend.
Në dokumentin e siguruar nga Dukagjini, theksohet se gjatë kësaj seance, partitë opozitare do të propozojnë një rezolutë për hetimin e veprimeve të Kusari-Lilës dhe shkarkimin e saj nga pozita.
Deputetja Kusari-Lila e ka cilësuar publikimin e audios si të montuar, duke hedhur poshtë akuzat dhe pretendimet për përfshirjen e saj në veprime të paligjshme.
“Asnjë formë ose asnjë komunikim nuk ka qenë me Listën Serbe për Ligjin për pagën minimale, rrjedhimisht incizimet e mbrëmshme janë të fabrikuara, për të cilat unë sot kam qenë në Polici dhe Prokurori dhe për këto do të vazhdoj ti bashkëngjitëm rastit që vitin e kam dorëzuar kallëzimin penal ndaj Simiqit. Do të thotë një manipulim dhe një montazh e asaj natyre e cila synon të vë në dyshim integritetin dhe personalitetin tim, pozicionimit politik dhe të GP të LVV nuk ka asnjë qëllim tjetër”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Kusari-Lilës në mbrojtje i ka dal edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e ka cilësuar si një formë të “luftës hibride” publikimin e bisedës mes Milan Radoiçiqit dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti e quan “luftë hibride” publikimin e bisedës Kusari-Lila – Radojçiq
“Kështu që në këto momente nuk kam as se si ta shoh as ta dëgjoj por përshtypja ime është tash do intestfkohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës e në veçanti kundër Qeverisë sonë, kundër grupit tonë parlamentar dhe kundër shefes së Grupit Parlamentar. Këtë e kemi parë edhe në të kaluarën dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve, të cilët natyrisht problemi më të madh e kanë sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pas, sundim të ligjit, rend publik, kushtetutshmëri dhe integritet territorialet, nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, ka thënë Kurti.
Sipas raportimeve të Paparacit, audio-incizimi tregon një përpjekje të Kusari-Lilës për të siguruar votat e Listës Serbe për kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në qershor të vitit 2022.
Kujtojmë se para sulmit terrorist të 24 shtatorit në Zveçan, Radojçiq ka qenë në arrati nga autoritetet e Kosovës që nga janari i vitit 2019 dhe është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara në dhjetor të vitit 2021.
Opozita njëzëri kritikon Kusari-Lilën
Gjatë së enjtes në Kuvend, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka komentuar deklaratat e Kusari-Lilës, mbi bisedën e saj me Milan Radoiçiqin.
Gashi e quajti këtë situatë “tmerrin e demokracisë në Kosovë” dhe akuzoi VV-në për përfshirje në një logjikë përbaltjeje.
“Çka përfaqësojnë këta deputetë kur kryetarja e grupit të tyre parlamentar del akuzon, para, prapa, anash, djathtas, majtas, pështynë në tana anët, dhe këta entuziazmohen”, ka deklaruar Gashi në Kuvend.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë PDK nuk do të votojë asgjë në parlament për sa kohë Mimoza Kusari-Lila vazhdon të jetë në pozitën e shefes së grupit të parlamentar të VV-së.
Ai theksoi se PDK do të bojkotojë çdo proces ligjor dhe marrëveshje ndërkombëtare derisa Kusari-Lila të mbetet në pozitën e saj.
“Kur cenohet siguria kombëtare, nuk ka çështje më të rëndësishme për të biseduar në Kuvend”, ka theksuar ai.
Edhe Besnik Tahiri nga AAK e ka kritikuar ashpër Kusari-Lilën, i cili theksoi se qytetarët e Kosovës meritojnë të dinë detaje për kushtet e negociatave me Radojiçiqin.
“Cili ka qenë pazari i këtij negocimi? Nuk flitet për ligje që kanë të bëjnë me komunitetet, por për një ligj që prek secilin njeri, siç është ai për pagën minimale dhe veteranët e UÇK-së. Ky koordinim është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës”, ka thënë Tahiri ndër të tjera.