Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi në Rripin e Gazës, duke thënë se ofensiva shkatërruese do të vazhdojë derisa grupi militant, Hamas, t’i lirojë të gjitha pengjet.
Netanyahu i bëri këto komente të premten, pak pasi e takoi sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, i cili i bëri trysni Izraelit për një pauzë të përkohshme në ofensivën e tij, në mënyrë që kushtet humanitare të përmirësohen në Gazë.
Po ashtu, Blinkeni, i cili ishte sot në një vizitë në Tel Aviv, i bëri thirrje Izraelit të bëjë më shumë për t’i mbrojtur civilët nga bombardimet që po i kryen në Gazë.
Por, Netanyahu tha se Izraeli do të vazhdojë “me të gjitha forcat e veta” dhe se “nuk pranon armëpushim të përkohshëm në të cilin nuk përfshihet rikthimi i të gjitha pengjeve”.
Hamasi i rrëmbeu rreth 240 njerëz gjatë sulmeve të përgjakshme që i kreu në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor, të cilat e shkaktuan një luftë të re Izrael-Hamas.
Mbi 1.400 njerëz u vranë nga sulmet e Hamasit më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.
Ndërsa, nga sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë janë vrarë mbi 9.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Para nisjes së Blinkenit drejt Izraelit, Departamenti amerikan i Shtetit përsëriti “mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten”.
Në të njëjtën kohë, administrata Biden kërkoi që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë në Gazë pas rritjes së shqetësimeve për një krizë humanitare në këtë territor.
Bombardimet kanë detyruar mbi gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të largohen nga shtëpitë e tyre. Furnizimet me ujë, ushqime dhe karburante janë pakësuar për shkak të rrethimit të Izraelit dhe shumica e spitaleve janë buzë kolapsit.
Izraeli ka lejuar mbi 260 kamionë me ushqime dhe ilaçe të hyjnë në Gazë, por sipas punëtorëve të ndihmës, kjo sasi e ndihmës nuk është e mjaftueshme. Autoritetet izraelite kanë refuzuar që të lejojnë dërgimin e furnizimeve me karburante, duke thënë se Hamasi do të përdorte karburantet për përdorime ushtarake.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA-ja nuk po kërkon një armëpushim të përgjithshëm, por një “pauzë të përkohshme dhe të lokalizuar”.
Izraeli dhe SHBA-ja duket se nuk kanë një plan të qartë se çfarë do të ndodhë më pas nëse Hamasi – që udhëheq Gazën – do të mposhtet. Kjo do të jetë një pyetje kyçe në agjendën e Blinkenit gjatë kësaj vizite, tha DASH-i.
Më herët gjatë javës, Blinkeni ka sugjeruar që Autoriteti Palestinez të qeverisë me Gazën. Hamasi e kishte larguar nga pushteti Autoritetin Palestinez më 2007, kur mori kontrollin e territorit. Autoriteti Palestinez tani ka fuqi të kufizuara në disa pjesë në Bregun e pushtuar Perëndimor, shkruan REL.
Zyrtarët ushtarakë dhe forcat izraelite tani kanë rrethuar plotësisht qytetin e Gazës, një zonë e banuar që Izraeli ka thënë se është qendër e infrastrukturës ushtarake të Hamasit, ku përfshihet edhe rrjeti i gjerë i tuneleve nëntokësore, bunkerëve dhe qendra komanduese.