Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga data 16 mars do të nisë zbatimin e projektit “Rrugët për fëmijë”, i cili ka për qëllim krijimin e rrugëve më të sigurta për fëmijët e kryeqytetit.
Komuna ka njoftuar se pas disa muajsh analizë, matje, projektim, planifikim e takime me qytetarë për këtë projekt, punimet do të fillojnë të enjten e kësaj jave, duke nisur me hapësirat përreth shkollës fillore të mesme të ulët “Elena Gjika”.
“Nga kjo ditë, rruga që prej Bulevardit “Zejnel Saliu”, nga udhëkryqi i rrugës “Emin Duraku”, deri te kryqëzimi me rr. “Ernest Koliqi”, do të mbyllet përherë për qarkullimin e mjeteve motorike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Nga ky kufizim përjashtohen mjetet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia, automjetet zyrtare dhe ato të parashikuara me ligj, për të cilat thuhet se do të ketë pistona lëvizës që mundësojnë qarkullimin në raste emergjente.

“Ne besojmë se me këto intervenime mund të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e banorëve tanë më të rinj, dhe të njëjtin koncept do ta aplikojmë edhe në rrugët tjera përreth të gjitha shkollave të kryeqytetit”, thuhet tutje në njoftimin e Komunës.