Nga 30 ditë paraburgim për tri infermieret e përfshira në keqtrajtimin e gruas së moshuar

Gjykata e Pejës ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim tri infermiereve, të cilat ishin të përfshira në rastin e keqtrajtimit të një gruaje 70-vjeçare në një shtëpi për të moshuar





Gjykata Themelore në Pejë, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh tri infermiereve, të cilat dyshohen se kanë keqtrajtuar fizikisht një grua në Qendrën për të moshuar në Pejë.

Kjo masë, sipas prokurorisë, është caktuar se ato mund të ndikojnë në dëshmitarë, të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale.

“Të pandehurave u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave, konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që u vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale, e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se nëse të pandehurat lihen në liri, ekziston rreziku që ta përsërisin veprën penale.

“Gjithashtu, gjykata ka vlerësuar se me lënien e të pandehurave në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale apo i kryerjes së ndonjë vepre të re penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat, në të cilat është kryer vepra penale, shkallën e lartë të pjesëmarrjes së të pandehurave, si dhe faktin se në mediat e vendit qarkullon edhe lajmi se dëshmitarja e cila ka shpërndarë videon me përmbajtje të veprimeve të të pandehurave, ka pranuar mesazhe kërcënuese, që në këtë fazë dyshohet se janë dërguar nga të pandehurat ose personat e shtyrë nga to”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, thuhet edhe se gjykata e ka vlerësuar edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurave “mirëpo gjeti se masat e tjera të parapara me ligj si masa më të buta se masa e paraburgimit, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal, të suksesshëm dhe të papenguar të procedurës penale”.

Gjatë ditës së mërkurë, ishin publikuar pamjet ku shihej e dyshuara kryesore Aurona Pelaj, e godiste në fytyrë dhe në pjesën e barkut një grua të moshuar, 70-vjeçare.

Një nga të dyshuarat shihet duke qeshur dhe qëndruar indiferente ndaj dhunës që shkaktohej ndaj gruas. Kurse tjetra, ishte duke e xhiruar atë që ndodhte.

Ndërkaq, Prokuroria ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për të tri infermieret e dyshuara. Ndërkaq avokatët e tyre nuk kanë pranuar të flasin për media.

Ky rast ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë dhe po ashtu në Shqipëri. Krerët e institucioneve, partitë opozitare, shoqëritë civile e kështu me radhë, kanë reaguar ashpër dhe kanë kërkuar dënim maksimal për vajzën që shihej teksa e godiste pa mëshirë gruan 70-vjeçare.

Po ashtu, është bërë e ditur se gruaja e keqtrajtuar ishte nënë e një dëshmori të luftës në Kosovë.





Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika