Nga BE-ja kërkojnë që Kosova t’i shpallë zgjedhjet në veri “sa më shpejt”

Qeveria e Kosovës tashmë është pajtuar që zgjedhjet në veri të mbahen pas verës. Një zëdhënës i BE-së ka përsëritur kërkesat e BE-së lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve e që sipas tij, duhet të mbahen “sa më shpejt”

Flamujt e Bashkimit Evropian

Nga BE-ja kanë kërkuar që zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës të shpallen “sa më shpejt”.

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i BE-së për REL. Ndonëse nuk ka komentuar deklaratat e zëvëndëskryeministrit Bislimi, i njëjti ka përsëritur kërkesat e BE-së, duke u bërë thirrje serbëve që jetojnë në katër komunat veriore të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Ne nuk i komentojmë komentet. Megjithatë, ne shfrytëzojmë rastin për të përsëritur se BE-ja pret nga palët që të implementojnë kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së më 3 qershor të vitit 2023. Kjo qartë përfshin se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur, të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe në veri. Nga serbët e Kosovës pritet që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës tashmë është pajtuar që zgjedhjet në veri të mbahen pas verës.

E njëjta ka zvogëluar 25 për qind të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri të vendit, pas kërkesave të BE-së.

Megjithatë, burimet diplomatike nga BE-ja i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se heqja e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.

Nga ana tjetër, nga BE-ja vendosën “masa ndëshkuese” pas përshkallëzimit të situatës në vend. Si rrjedhojë, në masa u përfshin suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) e të tjera.

BE-ja i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.

Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor

Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Më 29 maj, ndodhi një përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Situata mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësua më shumë edhe më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët u liruan pas 13 ditëve nga Serbia.

Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq. Të njëjtit u liruan më vonë.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika