Nga kjo e martë gratë në Bashkimin Evropian(BE) do të “punojnë falas” deri në pjesën tjetër të vitit sepse gratë vazhdojnë të fitojnë 13 për qind më pak se kolegët meshkuj për një punë të barabartë.
Po ashtu, 15 nëntori shënon “Ditën e Pagave të Barabarta” në të gjithë BE-në.
Progresi në mbylljen e këtij hendeku ka qenë i ngadaltë dhe është ngushtuar me vetëm 2.8 pikë përqindjeje gjatë dekadës së fundit.
11 shtete anëtare të BE-së e kanë kaluar tashmë “Ditën e Pagave të Barabarta” pasi hendeku i brendshëm i pagave gjinore është më i madh se mesatarja e BE-së, duke përfshirë Letoninë dhe Estoninë ku diferenca në pagë është mbi 20 për qind.
Ndërkohë, Luksemburgu kishte diferencën më të ulët në pagë duke përfshirë 0.7 për qind më pak se kolegët meshkuj. Ndërsa, Rumania dhe Sllovenia vijnë pas me dallime prej 2.4 për qind dhe 3.1% për qind .
Komisioneret Věra Jourová dhe Helena Dalli në një deklaratë të përbashkët thanë se “Puna e barabartë meriton pagë të barabartë: ky është një parim themelues i Bashkimit Evropian. Zgjidhja e padrejtësisë së hendekut gjinor të pagave nuk mund të vijë pa ndryshim në pabarazitë strukturore në shoqëri”, raporton euronews.
Për të ngushtuar këtë hendek, ato u bënë thirrje vendeve të BE-së që të rrisin punën për të siguruar kushtet e duhura për gratë dhe burrat që të kenë më shumë zgjedhje dhe të ndajnë më mirë përgjegjësitë dhe punën e kujdesit.
“Ne mbështetemi te shtetet anëtare që të përmirësojnë lojën e tyre në edukimin e hershëm të fëmijërisë së arritshme, të përballueshme dhe me cilësi të lartë dhe kujdesin afatgjatë – një parakusht për të mbështetur pjesëmarrjen e grave në tregun e punës”, kanë shtuar Jourová dhe Dalli.
Jourová dhe Dalli kërkuan nga eurodeputët dhe shteteve të BE-së që të miratojnë Direktivën e propozuar të Komisionit Evropian për Transparencën e Pagave sa më shpejt të jetë e mundur.
“Transparenca kontribuon drejt përfundimit të paragjykimeve gjinore në paga që nga fillimi dhe fuqizon punëtorët që të zbatojnë të drejtën e tyre për pagë të barabartë për të njëjtën punë ose punë me vlerë të njëjtë”, thanë ato.
Sipas një sondazhi të Eurobarometrit, nëntë në dhjetë evropianë mendojnë se është e papranueshme që gratë të paguhen më pak se burrat për të njëjtën punë.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se 64 për qind janë në favor të publikimit të pagave mesatare sipas llojit të punës dhe gjinisë në kompaninë e tyre.