Nga kundërshtar, në mbështetës: Si ndërroi anë Arsim Kabashi me FFK-në e udhëhequr nga Agim Ademi?

Arsim Kabashi, si delegat i Ballkanit, së bashku me disa përfaqësues të klubeve, kishin kundërshtuar atëkohë aq shumë FFK-në, saqë e kishin cilësuar Kuvendin “të parregullt dhe anti statutar”.

FC Ballkani ishte skuadra e parë që i doli në mbështetje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në “presionin” ndaj mediave, të martën pasdite.

Anipse, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër për kërkesën absurde të FFK-së ndaj Komisionit të Pavarur të Mediave si dhe AGK-së që të ndërhyjnë në emisionet sportive.

Ndërsa, i njëjti klub, i udhëhequr nga presidenti Arsim Kabashi, katër vite më parë kishte qenë një nga skuadrat e para që kishte dalë haptas kundër politikave të FFK-së.

Rasti më konkret është Kuvendi Zgjedhor i FFK-së për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv në vitin 2020.

Arsim Kabashi, si delegat i Ballkanit, së bashku me disa përfaqësues të klubeve, kishin kundërshtuar atëkohë aq shumë FFK-në, saqë e kishin cilësuar Kuvendin “të parregullt dhe anti statutar”.

I pari i Ballkanit e kishte cilësuar veten e tij edhe si “opozitë”, me një postim në rrjetin social “Facebook”, më 22 mars 2020.

“Welcome Mr.President. A thu do t’na vizitoj edhe neve Opoziten. Edhe na jemi Kosovë”, kishte shkruar ai.

Këtë shkrim Kabashi e kishte bërë me ironi dy muaj pas Kuvendit Zgjedhor të FFK-së për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, pasi kryetari i FFK-së, Agim Ademi, kishte nisur disa vizita nëpër klubet e futbollit dhe Lidhjet Rajonale.

Me kalimin e muajve, presidenti i Ballkanit kishte nisur të ndryshonte mendim për të parin e FFK-së. Ai filloi të afrohej me Agim Ademin.

Në fillim të vitit 2021, bujë në media kishte bërë një fotografi në Turqi e kryetarit të FFK-së bashkë me Arsim Kabashin dhe disa përfaqësues të klubeve. Në fotografi ishte edhe Tahir Batatina, trajneri i Llapit, i cili gjithashtu kishte qenë kundër Ademit dhe politikave të FFK-së.

Raportet me kreun e FFK-së tashmë ishin rregulluar. FC Ballkani ishte PRO që Agim Ademi të rizgjedhet kryetar i FFK-së më 6 prill 2022.

Gjithashtu, në janar të 2023, ishte PRO të miratohet statuti i ri i FFK-së, ndërsa nuk kishte gjetur vend për kritika as në shkurt të 2024 kur FFK kishte mbajtur Kuvendin e Punës.

Pa shumë zhurmë ishte miratuar raporti i punës, raporti i auditorit dhe pasqyrat financiar të vitit 2023, projekt-buxheti për vitin 2024, Kodi Zgjedhor, Komisioni Zgjedhor dhe organet gjyqësore.

Në përkrahje të FFK-së, FC Ballkani doli edhe këtë të martë, duke kritikuar emisionet sportive.

“Në disa emisione sportive po lejohet tentim degradimi i gjithë punës së madhe që ne kryejmë, sakrificës së jashtëzakonshme që bëjmë, vetëm e vetëm që ta shtyejmë përpara agjenden kombëtare të fuqizimit të progresit në futbollin tonë”, thuhet në komunikatën e klubit.

Teksa, ndër të tjerash “goditën” edhe gazetarin, Baton Haxhiu, i cili beson që “Agim Ademi është produkt i klubeve që janë nënshtruar”.

“Referuar edhe një letre të hapur të një gazetari i cili nuk ka asnjë lidhje me futbollin dhe kurrëfar ndikimi në këtë lëmi, synon të na mbajë ligjeratë e të na mësojë se si të veprojmë”, vazhdon komunikata e FC Ballkanit.

Të njëjtën komunikatë, disa me “copy-paste” e disa me ndryshime të vogla, e kanë publikuar në faqet e tyre zyrtare edhe shumica e klubeve të futbollit.

Në anën tjetër, letra e Baton Haxhiut e ka “ndezur” Arsim Kabashin.

Të mërkurën, presidenti i kampionit në fuqi të Kosovës reagoi edhe në profilin e tij në Facebook.

“Do ta bëja një debat live me Baton Haxhiun, por unë s’marr vesh asgjë në politikë e ai nuk e di sa kupton në futboll. Veç më mirë po takohemi të bisedojmë për biznes”, ka shkruar Kabashi.

Shija e redaktorit

VV e PDK lëshojnë sallën, dështon votimi i buxhetit të...

Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë braktisur mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, e cila kishte si...

Boksieri shqiptar Roberto Bakaj fiton meçin me nokaut

Roberto Bakaj ka shënuar fitore në meçin e zhvilluar në Harrow Leisure Center. Bakaj ashtu si vëllai i tij arriti ta nokautoj kundërshtarin, Shaban Hamadi...

Amarildo Bakaj fiton meçin me nokaut

Amarildo Bakaj ka shënuar një tjetër fitore në boksin profesionist. 25-vjeçari arriti fitore ndaj kundërshtarit, Mawuli Folivi në meçin e zhvilluar në Harros Leisure Center. Bakaj...

Të fundit nga rubrika