Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të caktojë masën e paraburgimit prej 30 ditësh për dy të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Po, dy të dyshuarve iu është caktuar masa prej një muaji paraburgim”, ka thënë Gashi.
Siç kishte raportuar ekipi në terren i RTV Dukagjini, para fillimit të seancës nën njësinë më elitare të Policisë së Kosovës, dy nga të arrestuarit për sulmin ndaj policisë janë sjellë në Gjykatë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.T, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca dëgjimore për të dyshuarin në fjalë është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe është i shtrirë për trajtim.
Më 25 shtator, u vendos të shpallet ditë zie shtetërore në Kosovë, derisa i gjithë vendi u trondit nga një sulm terrorist.
Tragjedia vazhdoi me dhimbje të madhe pas vrasjes së Afrim Bunjakut, rreshter i Policisë së Kosovës, i cili ndërroi jetë pas sulmit të së dielës nga grupet kriminale në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Në këtë sulm, edhe tre policë të tjerë u plagosën.
Në orët e mbrëmjes të së dielës, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.