Nga shkurti fillon vaksinimi i vajzave 12-vjeçare kundër kancerit të qafës së mitrës

Në Javën e Ndërgjegjësimit kundër kancerit të qafës së mitrës është bërë e ditur se nga shkurti do të fillojë vaksinimi i vajzave 12-vjeçare kundër kësaj sëmundjeje malinje

Me rastin e fillimit të Javës së Ndërgjegjësimit kundër kancerit të qafës së mitrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u kanë bërë thirrje të gjitha vajzave dhe grave të marrin vaksinën, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes kundër kësaj sëmundjeje malinje. Kjo vaksinë nga muaji shkurt do të hyjë në kalendarin e rregullt të vaksinave në Kosovë, e ku do të vaksinohen vajzat që nga mosha 12-vjeçare.

Në një tryezë diskutimi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se testet e rregullta, duke përfshirë PAP testin dhe vaksinën kundër papilloma virusit, janë ndër intervenimet kryesore parandaluese të cilat duhet fuqizuar e shfrytëzuar krahas trajtimit cilësor shëndetësor të të prekurave.

Vitia ka thënë tutje se janë drejt finalizimit të programit nacional për kontroll të kancerit, derisa shtoi se  kanceri i qafës së mitrës do të ketë vëmendjen e merituar krahas kancerit të gjirit, atij kolorektal e të tjerëve me rrezik më të madh potencial.

Ai ka shtuar se kanë siguruar rreth 15 mijë doza të vaksinës kundër papilloma virusit, derisa shtoi se që nga mesi i muajit shkurt do të fillojë vaksinimi i të gjitha vajzave të klasave të gjashta në gjithë vendin tonë, për çka u bëri thirrje prindërve t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se sëmundjet malinje e në veçanti kanceri i qafës së mitrës janë një sfidë e vërtetë për institucionet shëndetësore, shoqërinë tonë, shëndetin e grave dhe të gjithë atyre që preken nga këto sëmundje.

Ai ka potencuar se në Kosovë kanceri i organeve gjenitale femërore paraqet kancerin e dytë më të shpeshtë në mesin e kancerit të femrave, dhe të katërtin nga shpeshtësia në mesin e të gjithë grupeve të kancerit.

Po ashtu, edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), Naser Ramadani, ka thënë se qëllimi i shënimit të javës botërore kundër kancerit të qafës së mitrës është sensibilizimi i qytetarëve, i punëtorëve shëndetësorë dhe i vendimmarrësve lidhur me këtë sëmundje, duke përfshirë edhe mënyrën e parandalimit.

Ai ka thënë tutje se java botërore e kancerit të qafës së mitrës është një mundësi për të reflektuar mbi progresin e bërë deri më sot dhe për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat që mbeten për të arritur në përfundimin e kancerit të qafës së mitrës

Java e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te gratë. Shoqata Evropiane e Kancerit të Qafës së Mitrës që nga viti 2002 ka nisur organizimin e kësaj fushate, ndërkaq prej vitit 2007, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës organizohet çdo vit në javën e fundit të janarit. /KP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika