Duke filluar nga 1 shtatori 2024, të gjitha produktet e duhanit që importohen ose prodhohen për tregun e Kosovës do të jenë të detyruara të vendosin fotografi me ngjyra ose ilustrime të tjera dhe të përmbajnë vërejtje shëndetësore të përcaktuara me udhëzimin e ri administrativ.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi për këtë masë përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se këto vërejtje shëndetësore do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen, dhe produkteve të reja të duhanit.
“Këto vërejtje do të shfaqen në paketimet e të gjitha produkteve të duhanit për tymosje, produkteve të duhanit që nuk tymosen dhe produktet e reja të duhanit dhe kanë për qëllim:
– ngritjen e njohurive të duhanpirësve mbi efektet shëndetësore që shkakton përdorimi i produkteve të duhanit;
– sigurimin e efektit të vazhdueshëm të vërejtjeve shëndetësore në paketimet e produkteve të duhanit;
– inkurajimin e ndërprerjes së pirjes së duhanit dhe dekurajimin e nisjen ose rinisjen e pirjes së duhanit.
Kjo masë është e rëndësishme për përmirësimin e shëndetit publik dhe për mbështetje të përpjekjeve për kontrollin e duhanit në nivel kombëtar”, thuhet në njoftimin e ministrisë.