Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se një rritje prej rreth 15% të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, pritet të hyjë në fuqi sot me 1 prill 2025. Ky ndryshim i faturës vjen pas ndryshimit të akrepave veror. Dhe kjo faturë do të jetë e vlefshme deri në muajin shtator.
Përkundër thirrjeve dhe pakënaqësive, rritja e energjisë ka hyrë sot në fuqi.
Ndryshe, këtë vendim e ka kundërshtuar edhe nga Presidenca e Kosovës e cila ka bërë të ditur të premten se kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai është nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.
Reagimi i Presidencës ka ardhur pas paralajmërimeve të ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës.
Mes tjerash, në komunikatë është përmendur që ndonëse ndryshimet e propozuara po bëhen me qëllim të rritjes së sigurisë dhe furnizimit me energji në vitin 2025, rritja e çmimit të energjisë elektrike “po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg”.
“Çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës. Prandaj, shprehim shqetësimin tonë për faktin se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare”, është thënë në komunikatën e Presidencës, e cila është publikuar në ditën e fundit kur ZRRE ka thënë se pranon komentet dhe sugjerimit rreth propozimit për shtrenjtim.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.