Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë që duke u bazuar në përgjegjësitë ligjore, si dhe interesimin për funksionalitet të plotë karshi mandatit dhe përgjegjësive që ka AUV, të merren masa rigoroze kundrejt zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit.
Gjithashtu edhe shtimin e aktivitetit të inspektorëve sanitarë në terren.
Peci u shpreh se çdo qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën ligjore që të mbrohet nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.
“Nga sot, zero tolerancë ndaj duhanit në ambiente të mbyllura, hapësira publike, të punës, në hapësira të transportit publik dhe në çdo hapësirë tjetër që përcaktohet me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit”, ka thënë Peci, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërkaq, për mosrespektim të ligjit në fjalë si nga personat fizikë dhe subjektet juridike do të pasojnë gjobat, të cilat gjithashtu i përcakton ligji.