Ngjarja historike që ndryshoi Kosovën, 15 vjet nga festa e parë e pavarësisë

Rruga kryesore e Prishtinës më 17 shkurt të vitit 2008 ishte një "det i kuq" me shumicën e njerëzve që mbanin dhe valëvitnin flamurin shqiptar. Pavarësisht motit të ftohtë, me një diell thumbues, shumë prej tyre arritën disa orë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Kuvend, duke e parë këtë si një moment përcaktues për vendin

Turmat festuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës rreth skulpturës “Newborn” më 17 shkurt 2008.

Në këtë ditë, 15 vjet më parë, përfaqësuesit e popullit të Kosovës miratuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe shpallën njëzëri pavarësinë e Kosovës.

Ngjarja madhështore për qytetarët shqiptarë të Kosovës kujtohet gjithmonë duke u lexuar deklarata që e bëri vendin shtet të pavarur dhe sovran në orën 15:39, të datës 17 shkurt, ditë e diel dimri me diell e vitit 2008.

Ky ishte momenti kur Kosova zbatoi propozimin e Ahtisarit, që ishte shpallja e pavarësisë. 109 deputetë votuan në Kuvendin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministër i asaj kohe, nuk e la as kryeparlamentarin që udhëhoqi institucionin dhe as presidentin ta lexojë deklaratën e pavarësisë, duke e bërë këtë vetë.

Kështu nisi deklarata për një jetë të re për Kosovën dhe popullin e saj, e lexuar nga Thaçi: “I nderuari zotëri kryetar i Kuvendit, i nderuari president, të nderuar deputetë, të nderuar mysafirë, e nderuara familja Jashari, e nderuara familja Rugova. Faleminderit Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkim Evropian dhe NATO, respekt. Tani më lejoni që duke ndjerë rrahjet e zemrës të stërgjyshërve tanë, me nderin dhe privilegjin më të madh do ta lexoj deklaratën e pavarësisë së Kosovës”.

Hashim Thaçi, kryeministër i asaj kohe duke lexuar deklaratën për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt, 2008.

“Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Ne udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, kështu përfundoi deklarata e Thaçit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, dhe nisi rrugëtimi i një jete të re për Kosovën.

Kuvendi i Kosovës pas leximit të deklaratës për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt, 2008.

Ndërsa, ende pa u bërë shpallja zyrtare nga Kuvendi i Kosovës, dhjetëra mysafirë në sallë e mijëra njerëz në sheshet e Prishtinës, të të gjitha qyteteve të tjera të Kosovës e kudo nëpër botë dolën në rrugë për të festuar momentin e dytë më të madh në një shekull për shqiptarët.

Qytetarët duke festuar rrugëve të qyteteve qëlluan me armë, valëvitën flamujt shqiptarë kuqezi dhe ndezën fishekzjarrë mbi qiellin e Kosovës të dielën pasi parlamenti shpalli pavarësinë në kundërshtim me Serbinë dhe Rusinë, të cilat dënuan shpalljen e kombit më të ri në botë.

Në kryeqytetin, Prishtinë, qytetarët ishin plot gëzim. Mijëra shqiptarë etnikë u përballën deri në orët e vona të së dielës me temperaturat e ulëta duke hipur mbi makinat e tyre, duke kënduar këngë patriotike dhe duke brohoritur: “UÇK! akronimi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ata valëvitën flamuj amerikanë krahas flamurit të kuq shqiptar, me një shqiponjë të zezë, dykrenare.

Shqiptarët e Kosovës valëvitin flamujt uke festuar pavarësinë e Kosovës, 17 shkurt 2008.

Shumë prej tyre ishin veshur me kostume tradicionale dhe u binin borive dhe daulleve, dhe një çift shqiptar e quajti vajzën e tyre të porsalindur Pavarësie – për nder të ditës së pavarësisë së shtetit të tyre.

Kuvendi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë zbuloi gjithashtu flamurin e ardhshëm të Kosovës, një flamur blu të ndezur që shfaq në mes një hartë të artë të Kosovës dhe gjashtë yje, një për secilin nga komunitet e ndryshme që jetojnë në Kosovë.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi prezantojnë flamurin e Republikës së Kosovës, 17 shkurt 2008.

Por, pak nga flamujt e rinj u panë të dielën në rrugët e Kosovës, ku ende dominonte banderola e vjetër shqiptare.

Shqiptarët e Kosovës valëvitin flamujt uke festuar pavarësinë e Kosovës, 17 shkurt 2008.

Mes turmës u shpërndanë gota shampanjë dhe një torte e madhe ishte vendosur në mes qendrës së qytetit të Prishtinës, ku ishin mbledhur rreth saj mijëra festues të zjarrtë.

Torta e gjatë e festës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008.

Një monument që u quajt New Born (i porsalinduri), u bë simboli i shtetit më të ri në botë në vitin 2008.

Udhëheqësit e Kosovës ishin të parët që nënshkruan emrat e tyre në skulpturën gjigante që shkruante “NEWBORN” përpara se të niseshin në një sallë sportive për një performancë të “Odës së Gëzimit” të Beethoven nga Orkestra Filarmonike e Kosovës.

Një dekadë më parë, Fisnik Ismaili projektoi skulpturën për të festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me shkronja 10 metra, e lyer me një ngjyrë të verdhë të ndezur.

Monumenti “NewBorn”, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008.

Në mbrëmjen që u zbulua skulptura në Prishtinë, po ashtu mbi 150 mijë njerëz e nënshkruan atë. Njerëzit vazhdonin të shkonin, të ngjiteshin në të, dhe të shkruanin mbi të, e që kjo kishte vazhduar me orë të tëra.

Pas zbulimit më 17 shkurt 2008, “Newborn” shpejt u bë simbol i Kosovës. Ajo u shfaq në faqen e parë të “The New York Times” të nesërmen. Ndërsa, në vitin 2012, Rita Ora, ylli i popit kërceu mbi të në një videoklip të këngës së saj.

Plani fillestar i Ismailit për “Newborn” ishte ruajtja e tij me mbishkrimet që nga nata kur u zbulua. Por, njerëzit vazhduan të nënshkruanin, kështu që u vendos që ai ta rilyejë atë çdo vit në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke filluar nga pikturimi i flamujve të vendeve që e kishin njohur Kosovën si një komb sovran.

Qytetarët kremtojnë Ditën e Pavarësisë, 17 shkurt 2008.

Skulptura mbeti e pandryshuar për pesë vjet, derisa u bë aq e pistë sa duhej të ringjyrosej.

Varësisht prej matjes së diferencës kohore Kosta Rika dhe Afganistani ishin shtetet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës. Brenda katër ditëve nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, pesëmbëdhjetë shtete (përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Australinë) e njohën pavarësinë e Kosovës.

Beogradi reagoi ashpër, e protestuesit dogjën ambasadën amerikane. Të nesërmen edhe pikat kufitare me Serbinë u dogjën, por shpallja e madhe e së dielës kaloi pa incidente serioze.

Thaçi gjithashtu nënshkroi 192 letra të veçanta drejtuar kombeve anembanë botës – përfshirë Serbinë – duke u kërkuar atyre që ta njohin Kosovën si shtet.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika