Fatlum Alimi mbrëmjen e së mërkurës përjetoi një ngjarje të rëndë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.
Foshnja të cilën ishte duke e pritur, nuk ka mbijetuar dhe ka vdekur gjatë procesit të lindjes që gruaja e tij e kishte me prerje cezariane.
Këtë ngjarje, Alimi rrëfen se e ka bërë më të rëndë fakti se personeli i Gjinekologjisë fillimisht e njoftoi familjen se tyre se u ka lindur me sukses një djalë.
“Djalë njëher ma kanë qitë përpara, njëher djalë tha, djali yt. I kam edhe kolegët këtu, më tha djalë e ki, e kqyra beben mirë ke. Pas gjysmë ore erdh doktoresha tha ka ndërru jetë. E qaty ma hupi kontrollën, qaty e kam humbë krejt kontrollën”, ka thënë Alimi.
Alimi thotë se përgjatë disa kontrolleve që gruaja e tij i kishte bërë më parë, ai e kishte ditur që është duke pritur vajzë.
Megjithatë, ai thotë se mjekët në gjinekologji pak ditë para lindjes së gruas, i kanë thënë se sipas kontrolleve të tyre është duke pritur djalë dhe jo vajzë.
Kjo ia shtoi atij bindjen, se gruaja e tij vërtetë e kishte kaluar me sukses lindjen.
“Kur e kam pasur në kontrolla në Fushë Kosovë, e kam pas në kontrolla në dy vende më kanë thënë se e kam vajzë, kur e kam sjellë këtu për me u shtri në spital më kanë thënë se e ki djal. Hala pa lindë, këta e kanë bërë njëfar kontrolle, pastaj i kanë treguar se djalë ke, edhe ju ka thënë nusja që vajzë e kam, jo i kanë thënë djalë e ki”, ka shtuar ai.
Alimi me familjarë kanë kryer gjatë ditës procedurat e varrimit të foshnjës.
Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj nuk ka dashur të flas para kamerës.
“Drejtori i gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, i ka thënë televizionit përmes telefonit se në këtë rast nuk ka pasur ndërrim të foshnjës, por dhënie të gabuar të informacionit”, ka theksuar Ndrejaj.
Ndrejaj ka shtuar se në këtë rast gruaja ka pasur disa komplikime prej kur është pranuar në Gjinekologji.
Rasti, ai ka konfirmuar se ka ndodhur në sallën e lindjes.
Për këtë, tashmë është aktivizuar edhe Prokuroria.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, ndërsa trupi i pa jetë i foshnjës është dërguar në IML, për obduskion. Prokuroria në koordinim me institucionet relevante është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar të gjitha rrethanat e këtij rasti”.
Fatlum Alimi është ankuar gjithashtu edhe për një trajtim jo të mirë të gruas së tij, nga stafi në Gjinekologji.
Për këto akuza, drejtori i kësaj klinike ka thënë se do të flas më vonë.