Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit me inicialet H.G., i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpëlarje e parave”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri H.G. akuzohet se duke vepruar në bashkëkryerje edhe me persona, tani për tani të paidentifikuar, në llogarinë bankare të kompanisë së tij me seli në Prishtinë, ka pranuar dhe ka poseduar shumën e të hollave 213.897 euro, me qëllimin që ato të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme; ndërsa shumën 9.500 euro kishte arritur t’i tërheqë duke prezantuar fakte të rrejshme se gjoja i ka realizuar në mënyrë të ligjshme, edhe pse e ka ditur se pasuria e caktuar- mjetet e lartcekura janë fituar përmes aktivitetit kriminal të kryer përmes përdorimit të sistemit kompjuterik nga personi tani për tani i paidentifikuar.
Prokuroria ka theksuar se ai dhe personat e paidentifikuar kanë kryer veprën “shpëlarje parash”, ndërsa pas pranimit të informatës, mjetet janë sekuestruar nëpërmjet Urdhrit të përkohshëm për ngrirje.
“..Në këtë mënyrë ka kryer veprën penale në bashkëkryerje edhe me të pandehurit tjerë të paidentifikuar ‘Shpëlarja e parave’ nga neni 302, lidhur me nenin 31 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), lidhur me nenin 56 (paragrafi 1) të Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Prokuroria pas pranimit të informatave lidhur me kryerjen e kësaj vepre penale, kishte arritur që përmes Urdhrit të përkohshëm për ngrirje të sekuestronte përkohësisht mjetet në shumën prej dyqind e trembëdhjetë mijë e tetë qind e nëntëdhjeteshtatë (213,897.94) euro, të cilën shumë me paraqitjen e Aktakuzës, PSRK i ka propozuar Gjykatës që ta konfiskojë si dobi e fituar nga vepra penale, respektivisht që kanë rrjedhur nga aktiviteti kriminal i të pandehurit, me urdhër që e njëjta shumë të transferohet te pala e dëmtuar”, thuhet në njoftim.