Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër dy të dyshuarve për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile.”
Në njoftim thuhet se M.P. dhe Zh.Z. akuzohen se gjatë luftës në Kosovë kanë kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut.
“Po ashtu të pandehurit akuzohen për ngjarjet në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj etj. Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar. Gjithashtu, gjatë hetimeve u vërtetua se gjatë periudhës së luftës, në Komunën e Istogut, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.
Të pandehurit sipas njoftimit gjenden nën masën e paraburgimit sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.