Më shumë se 17 mijë njësi të banimit në të cilat janë instaluar pajisjet matëse nëpër radiatorë, do të faturohen për shpenzimet e tyre reale. Ndërsa për njësitë e tjera të banimit, ku matësit nuk janë instaluar ende, faturimi do të vazhdojë të bëhet sipas metrave katrorë edhe për këtë sezon.
Kështu bënë të ditur kryeshefi ekzekutiv i ngrohtores së qytetit të Prishtinës “Termokos” Fisnik Osmani. Ai është zotuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar sezonin e ngrohjes me datën 15 tetor.
Osmani flet për pamundësinë që edhe këtë vit të kyçen në sistemin ngrohës “Banesat e Bardha”, dhe për borxhin e qytetarëve ndaj kësaj ndërmarrje publike.
Anipse ishte planifikuar që “Banesat e Bardha” të kyçen në sistemin ngrohës këtë sezon, për shkak të disa arsyeve është komplikuar procesi i ndarjes së mjeteve nga Komuna e Prishtinës për intervenim në këtë pjesë. Osmani tregon se “Termokos” me mjete vetanake planifikon të kyç në sistemin ngrohës këto 29 objekte banesore, porse nuk është e mundur deri në vitin tjetër.
Kryeshefi ekzekutiv në Termokos, Fisnik Osmani ka deklaruar se gjithçka është gati për të filluar sezoni ngrohës më datën 15 tetor.
Sipas tij, këtë vit, furnizimi nga ngrohtorja do të përfshijë rreth tre milionë metra katror në Prishtinë, në sektorin afarist dhe banesor. Ai gjithashtu përmend se do të jenë mbi 30 mijë njësi të banimit që do të marrin këtë shërbim.
Ndër të tjera, Osmani potencon se këtë vit është i kënaqur me pjesën e inkasimit, për çka thotë se mbi 90 për qind e qytetarëve po i paguajnë faturat.
Përveç këtyre, synim i ngrohtores Termokos është që edhe lagjen 44-atëshe të kyç në sistemin ngrohës. /KosovaPress