Zenun Nimani nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka deklaruar se nuk do të mbahet mësim të shtunën, pasi sipas tij, nuk ka një marrëveshje në mes MAShT-it dhe SBAShK-ut, për zëvendësimin e orëve.
“Nuk zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës nëse nuk ka një marrëveshje mes palëve”, ka deklaruar ai.
Të shtunën e 15 tetorit, sipas tij, nxënësit nuk do të dalin në shkolla, por ka shkolla që kanë në plan të nisin mësimin, dhe ka prej atyre që nuk pranojnë vikendin si ditë mësimi duke përmendur Këshillin e Prindërve.
Këshilli i Prindërve të Kosovës kishte deklaruar se është kundër kompensimit të orëve mësimore gjatë të shtunave, duke thënë se “dhjetëra mijëra fëmijë në gjithë Kosovën gjatë fundjavave marrin pjesë në aktivitete e gara të ndryshme sportive e të artit” dhe se kjo mund t’i dëmtojë nxënësit
Se si do të veprojnë nesër prindërit, ai në intervistë për emisionin FIVE ka thënë se ka deklarata të ndryshme nga ta, pasi shumica nuk pranojnë që të mbahet mësim të shtunën.
Po ashtu, sipas tij, duhet të gjenden forma të tjera për zëvendësimin e orëve, pasi ai ka thënë se edhe para grevës edhe gjatë grevës kanë kërkuar dialog dhe një marrëveshje.
“Kemi pezulluar grevën për arsye të pamundësisë për një marrëveshje, dhe të mos i humbim mësim më shumë nxënësve, prandaj pa një marrëveshje nuk ka zëvendësim të orëve të humbura”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, ai ka deklaruar se me dhunë nuk mund të ndalin askënd, dhe se nuk ka të dhëna se sa shkolla do të vazhdojnë mësimin edhe të shtunën.
Ndërsa, për deklaratën e ministres së Nagavci që mund të mos marrin pagë mësimdhënësit nëse nuk punojnë të shtunën, ai ka thënë se për një ditë mund të ndalet pagesa, por se paga nuk mund të ndalet.