Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në diskutimin për amendamentet kushtetuese për Vettingun në sistemin e drejtësisë, organizuar nga Kuvendi në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).
“Pas prezantimit të analizës së ekspertit, lidhur me amendamentet kushtetuese për Vettingun e niveleve të larta, vazhduam punën në shqyrtimin e amendamenteve, në mënyrë që ato sa më parë të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ndryshe, më 20 janar, ministrja Haxhiu ka njoftuar se kanë mbajtur takimin e parë të Grupit për hartimin dhe finalizimit e projektligjeve për realizimin e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Pas procedimit në Kuvend të amendamenteve kushtetuese për vettingun, sot mbajtëm takimin e parë të Grupit për hartimin dhe finalizimin e projektligjeve për realizimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë si dhe ofrimin e mbështetjes për Komisionin Add-hoc të Kuvendit për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar”, kishte shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se kishte ofruar mbështetjen e saj për grupin punues dhe ka ritheksuar “rëndësinë e këtij procesi për qytetarët dhe shtetin”.